
Ka nisur seanca dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit për Elida Kaçkinin, prokurore në Prokurorinë e Tiranës, kandidate për SPAK.
Sipas raportit te ILDKPKI, ajo ka bërë deklarim të saktë të pasurisë. Nga hetimi i thelluar administrativ i KPK rezultoi se dy automjetet në pronësi të saj dhe bashkëshortit, si dhe tre llogari bankare e depozita, janë siguruar me të ardhura të ligjshme.
Mospërputhje ka pasur vetëm në deklarimin e çmimit të blerjes së një apartamenti nga bashkëshorti i saj në vitin 2011, para martese, me para të siguruara nga paga dhe dy huamarrje. Për apartamentin e blerë, në vetting Kaçkini ka deklaruar shumën 32 mijë euro, ndërsa më herët në deklaratat e pasurisë ka deklaruar 38 mijë euro. Gjithashtu, KPK vlerësoi se burimi i parave për blerjen e tij, deklaruar nga bashkëshorti, nuk është i rregullit. Sipas KPK, personat që kanë siguruar huat nuk kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për ta bërë këtë. (A2 Televizion)