Kaos në Hong Kong, përleshje të dhunshme në kampus, dhjetëra në pranga

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2019, 11:39 | Bota

Përshkallëzohet situata në Hong Kong, ku dhjetëra protestues u arrestuan teksa përpiqeshin të largoheshin nga një kampus universitar, i rrethuar nga policia.

Policia kërcënoi të përdorte armët, por më pas përmes rektorit të Universitetit Politeknik bëri të ditur se ata që do të dorëzoheshin do të gjykoheshin sipas ligjit. Por kur një grup prej 100 protestuesish tentoi të dilte nga kampusi, efektivët i ndaluan me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

Manifestuesit u kundërpërgjigjën me harqe e shigjeta, bomba Molotov e armë të tjera të impovizuara. Ata sulmuan gjithashtu me automjet një efektiv, i cili sic njoftuan burime policore, ishte detyruar të qëllonte me armë zjarri për t’u mbrojtur.

Në 5 muaj manifestimi paqësor pro demokracisë në Hong Kong u kthye fillimisht në të ashtuquajturin “Revolucioni i Çadrave” e më pas në një guerrilje të vërtetë mes forcave të rendit dhe demonstruesve.

Ndërsa rrugët zienin nga protestat, një gjykatë e Hong Kongut e shpalli si jo kushtetues ligjin anti-maskë. Në tetor, qeveria implementoi një masë emergjence të epokës koloniale që e konsideronte mbajtjen e maskave të paligjshme, por protestuesit e sfiduan ashpër atë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos