Kaos në kufirin SHBA-Meksikë? Sherifët nuk janë të shqetësuar: Kartelet kanë gjithçka nën kontroll

Nga A2 CNN
11 Maj 2023, 14:08 | Bota

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të dërgojnë qindra trupa shtesë në kufirin jugor me Meksikën në Teksas, pasi këtë të enjte skadon afati i kufizimeve për migracionin të vendosura që nga koha kur vendi drejtohej nga Donald Trump.

“Po përgatitemi për të panjohurën sepse nuk e dimë se kush do të vijë, në janë familjarë apo burra e gra”, tha për CNN kryebashkiaku i El Pasos, Oscar Leeser. Ai kaloi vetë kufirin për në Meksikë dhe vizitoi qytetin Juarez, ku mendohet se 5-10 mijë njerëz po presin për t’u futur në SHBA.

Victor Trevino, kryebashkiaku i një tjetër qyteti, Laredo, tha për CNN se administrata e tij po përgatitet sikur vendi do të goditej nga një uragan.

Zëdhënësi i Komandës Veriore të SHBA-së, John Cornelio, tha se rreth 550 ushtarë janë dërguar për të ndihmuar agjentët kufitarë, ndërsa deri në fund të muajit do të dërgohen në kufi edhe 950 trupa të tjera.

Sipas të dhënave të siguruara nga CNN, vlerësohet se në shtetet meksikane kufitare me ato amerikane janë mbledhur rreth 155 mijë emigrantë.

Por ekspertët e sigurisë kufitare, të cilët monitorojnë situatën në terren, nuk duken shumë të shqetësuar për atë që mund të ndodhë. Sipas tyre, grupet kriminale të karteleve të drogës, që kontrollojnë tashmë edhe trafikun e qenieve njerëzore, po përfitojnë shumë para nga ky biznes i ri dhe nuk kanë ndërmend të lejojnë shpërthimin e kaosit.

“Njerëzit që orkestrojnë këto lëvizje nuk kanë ndërmend të shkatërrojnë gjithçka”, tha për “Dailymail.com” Chris Clem, i cili deri vitin e kaluar ishte shef i Patrullës Kufitare në Yuma, Arizona. “Ka shumë para në lojë sa herë që një person kalon kufirin. Nëse ata lejojnë kaosin atëherë do të ketë kundërpërgjigje nga administrata.

Pika më nevralgjike e kalimit të kufirit është Rio Grande, lumi që ndan dy “botët” dhe ku emigrantët shohin më shumë mundësi për t’ia dalë. Në disa pamje ekskluzive të publikuara nga “Dailymail.com” shihen sesi familje të tëra kanë ngritur tendat përgjatë vijës kufitare, buzë lumit, ndërsa nuk mungojnë edhe incidentet me të vegjlit që provojnë të notojnë.

Situata është e njëjtë përgjatë gjithë vijës kufitare mes dy shteteve, mbi 2000 kilometra e gjatë. Qeveria federale amerikane parashikon se deri në 13 mijë emigrantë në ditë mund të përpiqen të kalojnë kufirin dhe të kërkojnë azil në SHBA.

(A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/24/cfare-eshte-titulli-42-qe-futi-ne-kurth-qindra-emigrante-ne-kufirin-shba-meksike-gjendja-alarmante

A2 CNN Livestream

Latest Videos