Një sasi kokainë është gjetur në një kontejner në Portin e Durrësit pak pas mesditës së të martës. Policia bën të ditur se janë zbuluar 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa është duke vijuar kontrolli. Mësohet se kontejneri me banane kishte mbërritur në Durrës, 2 ditë më parë. Policia priti derisa të mbërrinin personat që do të merrnin kontejnerit dhe deri tani janë shoqëruar dy persona, një prej të cilëve është drejtuesi i automjetit dhe një tjetër person, roli i të cilit nuk bëhet i ditur. Burime nga policia bëjnë të ditur se pakot peshojnë nga 10 deri në 12. Subjekti pritës ishte kompania “Alba Exotic”, e cila është kapur me kokainë në vitin 2019. Në katër kontejnerë u gjetën 137 kilogramë kokainë në atë kohë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të. (A2 Televizion)
Kapen 14 pako me kokainë në një kontejner në Portin e Durrësit
