Karaburuni dhuron surpriza, zbulohen amforat 2500 vjeçare në ujërat e tij

Nga A2 CNN
14 Korrik 2019, 09:29 | Aktualitet

Deti shqiptar nuk resht të dhurojë surpriza që vijnë nga e kaluara.

Dhuratën e fundit, pak metra larg brigjeve të Karaburunit, e zbuloi një ekspeditë shqiptaro- amerikane që mendon se mund të ketë gjetur dëshminë më të lashtë të lundrimit të një anije në ujërat shqiptare.  

Edhe pse ende nuk janë identifikuar konturet e anijes, disa dëshmi të prekshme dhe shumë të rëndësishme kanë dal në pah, si 22 amfora të mëdha, që shërbenin për transportin e verës dhe vajit nga një qytet në tjetrin. Zbulimi i jashtëzakonshëm, i kryer nga anija shkencore Herkules për Fondacionin Detar RPM, mendohet se i përket periudhës nga sekulli i VII p.e.s deri në shekullin e V p.e.s.

Anija Herkules, që nga viti 2007 hulumton në ujërat e Jonit

Amforat e lashta ndodheshin rreth 50 metra në thellësi të detit Jon, në afërsi të Karaburunit, një zonë pak e eksploruar falë karakterit ushtarak që ka patur zona për dekada të tëra, dhe që po shndërrohet në një “parajsë” e vërtetë për arkeologët nënujorë të mbarë botës.  

Disa nga amforat e gjetura gjatë misioneve në Shqipëri

Sipas Auron Tares, që mban postin e kreut të Komitetit Shkencor dhe Teknik të UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore Nënujore, dëshmitë e gjetura si dhe zbulimi i mundshëm i anijes “mund të shoqërohen me themelimin e dy qyteteve kryesore në bregdetin shqiptar, Dyrrachium (Durrësi modern) dhe Apolonia, dy portat e rrugës Egnatia, rruga e lashtë drejt tregtisë lindore”.

Të shumta janë edhe anijet e Luftës së Parë dhe të Dytë të gjetura në brigjet shqiptare

Zbulimi pati jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare, me artikuj të dedikuar në gazeta si Washington Post, New York Times, etj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos