Kasapët e Bucha-s në Ukrainë tani kanë fytyrë dhe emër

Nga A2 CNN
29 Prill 2022, 13:36 | Bota

Tani kasapët e Bucha-s kanë emër dhe fytyrë, të paktën disa prej tyre. Prokurorja e përgjithshme e Kievit, Iryna Venediktova ka zbuluar identitetin e tyre, duke postuar në Facebook detaje personale dhe fotografi të dhjetë oficerëve dhe nënoficerëve të brigadës famëkeqe 64 ruse nga Siberia.

Lista hapet nga rreshteri Vyacheslav Lavrentyev, pak më poshtë nga nëntetari Andriy Bizyaev, Grigory Naryshkin, Vasily Knyazev, Sergei Peskaryov; nëntetaret Semyon Maltsev, Mikhail Kashin, dhe Dmitry Sergienko dhe rreshter Nikita Akimov dhe në grup është edhe një gjeneral, Albert Radnaev. Pothuajse të gjithë, si udhëheqësi i tyre i egër, nënkoloneli Omurbekov Azatbek Asanbekovich, tregojnë tiparet tipike të buriatëve, një popullsi midis Rusisë, Mongolisë dhe Kinës që përfaqëson pakicën më të madhe etnike siberiane.

Autoritetet ukrainase kanë lëshuar akuzat e para për krime lufte kundër tyre, duke i kërkuar kujtdo që i njeh të sigurojë prova për përfshirjen e tyre në masakrën e civilëve në rajonin e Kievit. Këtu është Bucha, ku pas tërheqjes së trupave nga Moska u gjetën të paktën 400 trupa në rrugë, në shtëpi, në varre masive.

Disa me duar të lidhura pas shpine dhe një goditje në pjesën e pasme të kokës, viktima të ekzekutimeve të vërteta. I ekzekutuan ata të njëjtët njerëz të cilëve Vladimir Putin u dha një nga nderimet më të larta në Rusi pak ditë më parë, duke i lavdëruar për heroizmin e tyre.

“Është provë se ka qenë Kremlini që ka orkestruar masakrat”, shpjegon prokurorja ukrainase, e cila në postim përshkruan dhunën e ushtruar nga dhjetë torturuesit e identifikuar. Disa prej tyre duken shumë të rinj, disa të portretizuar me kamuflazh dhe me mjete luftarake, disa me veshje civile.

Sipas asaj që u vërtetua nga hetimet, shkruan Venediktova, "gjatë pushtimit të Bucha-s ata morën peng civilë të paarmatosur, i lanë të vdisnin urie dhe etjeje, i grabitën, i mbanin në gjunjë me duar të lidhura dhe me sy të lidhur, i tallën dhe i rrahën me grushta.

“Njerëzit janë rrahur për informim dhe disa janë torturuar pa arsye", vijon prokurorja. Ushtria ruse gjithashtu dyshohet se "kërcënoi të vriste viktimat dhe madje organizoi ekzekutimin e të burgosurve të tyre".

Moska hedh poshtë të gjitha akuzat dhe vazhdon të flasë për lajme të rreme. Por prokuroria e Kievit, në orët kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres po vizitonte vendet e tmerrit të luftës në Ukrainë, bëri të ditur se kishte identifikuar mbi 8000 krime lufte ruse që nga fillimi i konfliktit. Numri i viktimave të civilëve, vetëm në rajonin e Kievit, nga ana tjetër, rritet në mbi 1,150. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos