
Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso, i ftuar në studion e “Ditari” në A2, theksoi se opozita është e kënaqur që mazhoranca ka rënë dakord në parim me propozimet e PD-së.
“Besoj që jemi shumë afër gjetjes së një marrëveshje përfundimtare për votimin elektronik. Kjo do të sjellë largimin e horrave nga procesi zgjedhor dhe do të sjellë besim te procesi i zgjedhjeve. Ka edhe aspekte të tjera si eleminimi i komisionerëve, të cilët përbëjnë një problem jo të vogël. Janë rreth 40 000 komisionerë që menazhojnë zgjedhjet në vend, nuk është numër i vogël”, tha Kaso.
“Propozimet tona janë të bazuara në eksperiencat më të mira që ekzistojnë sot në botë. Po flasim për shtete me 50-60 milionë banorë. Modeli ynë është i përputhshëm me realitetin ku jetojmë. Teknologjia sot ka ecur dhe mund të prodhojmë makineritë që na duhen dhe mund të implementohet në të njëjtën kohë në të gjithë vendin. Nuk ka nevojë për projekt-pilot”, shtoi Kaso.
Në lidhje me ndalimin e veting-ut për anëtarët e ardhshëm të Kolegjit Zgjedhor, Kaso shpjegoi: “Problemi i mazhorancës, të cilin e kanë shprehur, është se implementimi i një sistemi ngrirjeje të veting-ut për anëtarët e ardhshëm të Kolegjit Zgjedhor, do të minonte besimin e qytetarëve te Reforma në Drejtësi, të cilën e konsiderojnë histori suksesi. Për fatin e tyre të keq, opozita nuk e ndan këtë entuziazëm për këtë reformë”.
“Reforma Zgjedhore e ka rrugën e saj të shtruar përpara dhe ajo që nevojitet për ta mbyllur është vetëm vullneti politik i mazhorancës. Nuk ka shkopinj nën rrota ndaj Reformës në Drejtësi. Mendoj se të dyja këto reforma janë të ndara”, nënvizoi Kaso.
Në lidhje me ndryshimin e sistemit, Kaso tha: “Nuk kemi diskutuar ende për sistemin zgjedhor, në 10 mars është parashikuar në kalendar kjo temë”. (A2 Televizion)