Zbardhet propozimi i PD për procedurën e identifikimit elektronik

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2020, 10:43 | Politikë
Zbardhet propozimi i PD për procedurën e identifikimit elektronik

Burime për A2 kanë treguar propozimin e Partisë Demokratike për procedurën e identifikimit elektronik që do të paraqitet në tryezën e Reformës Zgjedhore.

Me qëllim identifikimin e sigurtë të votuesve në qendrën e votimit, verifikimin dhe parandalimin e votimit të shumëfishtë në të njëjtën qendër votimi ose në qendra të ndryshme ndërtohet sistemi elektronik i identifikimit në vijim EPB (Electronic Poll Book), i cili identifikon zgjedhësin në qendrën e votimit nëpërmjet dokumentit të identitetit dhe të dhënave biometrike, përfshirë shenjën e gishtërinjve.

Sistemi garanton verifikimin e të dhënave të zgjedhësve bazuar në të dhënat biometrike të sistemit të letërnjoftimeve elektronike si dhe listës së zgjedhësve, e cila gjenerohet nga regjistri kombëtar i gjendjes civile. Skanimi dhe ruajtja e të dhënave biometrike gjatë procesit të identifikimit garanton që zgjedhësi ka të drejtë të votojë në atë QV ku po identifikohet dhe gjithashtu, shërben si provë për verifikimin dhe dënimin e tentativave për të votuar më shumë se një herë si dhe në vend të zgjedhësve te tjerë.

Të dhënat e identifikimit të zgjedhësve ngarkohen të enkriptuara në memorien e pajisjes elektronike të identifikimit EPB nga sistemi qendror, para ditës së zgjedhjeve. Çdo pajisje kur aktivizohet personalizohet për QV-në me anë të kodeve unike një përdorimshme.

EPB-ja do të mundësojë gjetjen e votuesit në listë duke lexuar kodin MRZ të ID card ose pasaportën biometrike për të gjetur në mënyrë të shpejtë identitetin e votuesit. EPB-ja do të verifikojë nëse zgjedhësit i lejohet të votojë në atë QV:

  1. Nëse është votues në listë që nuk ka votuar ende dhe më pas:
  • do të shfaqë në ekranin e EPB-së të gjithë të dhënat e identifikimit si dhe foton e votuesit;
    • do të lexojë gjurmët e gishtërinjve të votuesit;
    • do të printojë një kupon verifikimi të procesit të identifikimit;
    • do të sinjalizojë me dritë jeshile të dukshme për të gjithë komisionerët në QV;
    • do të regjistrojë identifikimin dhe të dhënat biometrike në memorien elektronike.

Kuponi i printuar do të ketë të gjitha të dhënat e votuesit si edhe foton e tij të sistemit të ID card, në mënyrë që të verifikohet nga çdo anëtar i komisionit nëse shihet e nevojshme para se ai të procedojë me votimin. Kuponat administrohen më pas nga komisioni , në një kuti të veçantë, administrohen dhe arkivohen sipas rregullave për administrimin e materialeve zgjedhore.

Nëpërmjet leximit të gjurmëve të gishtërinjve të votuesit zëvendësohet dhe procesi i firmosjes nga votuesit në listat e votimit dhe është provë e identifikimit të votuesit. Gjurmët e gishtërinjve ruhen në pajisje dhe kryqëzimi i të dhënave, i cili do të kryhet në mënyrë të detyrueshme nga KQZ-ja, mbas votimit në sistemi qendror do të mundësojë verifikimin e tentativave të votimit të shumëfishtë apo në emër të zgjedhësve të tjerë. Raste të tilla, në qoftë se do të evidentohen, do të referohen menjëherë në Prokurori.

  1. Nëse votuesi nuk është regjistruar të votojë në atë QV:
    • ne ekranin e EPB-së do të shfaqen të dhënat dhe adresa e QV-së ku ai, zgjedhësi duhet të shkojë për të votuar;
    • do të sinjalizojë me një dritë të verdhë të dukshme për të gjithë komisionerët në QV, që tregon se votuesi nuk mund të votojë në atë QV;
    • EPB-ja duhet të printojë një kupon me të dhënat/adresën e QV-së se ku votuesi duhet të shkojë dhe ky kupon i jepet votuesit në fjalë.
  1. Nëse votuesi ka votuar tashmë në atë QV:
  • në ekranin e EPB-së do të afishohen të dhënat e votuesit dhe ora kur ai është identifikuar se ka votuar në atë QV;
    • do të sinjalizojë me dritë të kuqe të dukshme për të gjithë komisionerët në QV;
    • do të sinjalizojë me një alarm zanor që tregon se ai votues ka votuar më parë;
    • do të printojë gjithashtu një kupon/raport që votuesi përkatës tentoi të votojë dy herë;
    • do të regjistrojë tentativën në sistemin elektronik.

Në përfundim të procedurave të votimit, pajisja do të prodhojë një raport përmbledhës të detajuar lidhur me numrin përfundimtar dhe identitetin e të gjithë votuesve në atë qendër votimi, i cili gjithashtu do të bëhet pjesë e materialit zgjedhor të asaj qendre votimi.

Për sa është parashikuar më sipër, pajisja mund të bashkëjetojë me procedurat aktuale të votimit dhe mund të hyjë në përdorim dhe në të gjithë territorin sepse procedura e vjetër eventualisht mund të përdoret n.q.s. ka probleme.

  1. Pajisja elektronike e identifikimit EPB-ja mund të mundësojë dhe votimin pa dokument identifikimi meqenëse i ka tashmë në memorie te dhënat e zgjedhësve, duke i mundësuar që komisioni të kërkojë zgjedhësin në listë duke i futur te dhënat manualisht.
  2. Pajisja mund të jetë e pajisur me kamera që mundëson dhe foton e zgjedhësit që po identifikohet.
  3. Pajisja mund të regjistrojë në mënyre unike,  të pandryshueshme shenjën e 1,2 gishtave ose dhe të gjithë dorës, duke parandaluar regjistrimin e më shumë se një shenjë identifikuese të zgjedhësit, në të njëjtën makineri ose në makineri të ndryshme .

Votimi Elektronik

Qendra e votimit duhet të jetë e pajisur me pajisje elektronike votimi ku zgjedhja e subjektit zgjedhor nga votuesi bëhet në ekranin e pajisjes elektronike të votimit (Electronic Voting Machine) EVM në vijim.

Për të krijuar besimin te publiku dhe për të larguar çdo dyshim për identifikimin e votës nuk mund të ketë komunikim apo shkëmbim të dhënash midis EPB-së dhe EMV-së. Procesi i identifikimit dhe procesi i votimit elektronik janë tërësisht të ndara prej njëri tjetrit për të bërë të pamundur identifikimin e votës.

Pasi votuesi të jetë identifikuar me anë të EPB-së, ai vë në dispozicion kuponin e identifikimit përkatës të gjeneruar nga EPB-ja, tek anëtarët e komisionit në mënyrë që të vijohet më pas me votimin.

EVM-ja do të aktivizohet për të lejuar votimin me anë të shtypjes së një butoni nga komisionerët e QV-së pasi ata të kanë parë /verifikuar se procesi i identifikimit të votuesit u krye dhe pasi kanë administruar kuponin e identifikimit.

Pas aktivizimit, në EVM do të shfaqen ne monitorin me ekran me prekje një paraqitje te fletës së votimit te miratuar nga KQZ. Shfaqja e subjekteve në ekran duhet të jetë e qartë dhe e thjeshtë për t’u kuptuar dhe zgjedhur.

Në rastet kur, procesi i votimit ka më shumë se një votim (Zgjedhje të përgjithshme dhe lokale, referendum etj.) votuesit do t'i jepet mundësia me radhë të votojë përkatësisht njëra pas tjetrës.

  1. Votuesi bën zgjedhjen e tij.
  2. Votuesit i shfaqet zgjedhja e bërë dhe e konfirmon atë në ekran.
  3. EVM-ja printon një kupon të votës përkatëse dhe ky kupon duket nëpërmjet xhamit të pajisjes.
  4. Zgjedhësi konfirmon në ekran që kuponi është identik me zgjedhjen në ekran.
  5. EVM-ja printon në kupon një shenjë që vota u verifikua dhe e pret kuponin.
  6. Kuponi i votës me të dhënat për zgjedhjen e bërë bie në kutinë e ruajtjes së kuponave të verifikimit të votave.
  7. Vota regjistrohet e enkriptuar në memorien elektronike.

EVM-ja do të ruaj të koduara me enkriptim të shumëfishtë dhe pa referenca kohore të sigurtë çdo votë. EVM-ja duhet të ketë siguri fizike me vula sigurie dhe memorie të dyfishtë për ruajtjen e votave elektronike. (çdo votë do të ruhet në dy memorie të veçanta)

Me qëllim shmangien e shitblerjes së votës, intimidimin e zgjedhësit vota e printuar nuk mund të merret fizikisht nga zgjedhësi. Votuesit dhe komisioni nuk duhet të kenë akses në pajisje dhe as në kutinë e ruajtje së kuponave dhe çdo veprim për printimin, prerjen dhe hedhja e kuponëve te votimit do të kryhet automatikisht nga EVM-ja.

EVM-ja do të eliminojë votat e pavlefshme duke parandaluar që një votues të votojë për më shumë se një përzgjedhje.

Në fund të procesit mbas inicimit të mbylljes së votimit nga komisioni;

  1. EVM-ja do të përllogarisë rezultatin përfundimtar.
  2. EVM-ja do të printojë procesverbalin e rezultatit përfundimtar te QV-së në aq kopje sa parashikohet në ligj, për tu firmosur nga komisionerët e QV-së.
  3. EVM-ja do të firmosë elektronikisht dhe do të transmetojë të enkriptuar rezultatin në sistemin qendror pranë KQZ-së.

Mbas përmbylljes së procesit pajisjet do të paketohen me kode sigurie dhe do të dërgohen në qendrat e administrimit zgjedhor.

Votat për një numër të caktuar qendrash votimi mund të numërohen në letër për të verifikuar sistemin. 

Vota e ruajtur në memorien elektronike të pajisjes është e dhëna parësore për hartimin e rezultatit zgjedhor ndërsa vota e printuar, e depozituar në kuti, ka vlefshmëri ligjore dhe prevalon ndaj votës elektronike, në rast se ka mospërputhje, për qëllime të nxjerrjes së rezultatit zgjedhor ose në procesin ankimor.

Në fund të votimit çdo pajisje prodhon raportet e veta dhe komisioni ka mundësi të verifikojë se sa votues janë identifikuar dhe sa vota janë hedhur.

Sistemi Qendror

Sistemi qendror për votimin elektronik do të përfshijë të gjithë  infrastrukturën elektronike të nevojshme për të dokumentuar/audituar sigurinë për çdo pajisje identifikimi dhe votimi si dhe për të mundësuar  infrastrukturën e nevojshme për sigurinë e informacionit në çdo nivel të tij.

Përpara çdo procesi votimi, sistemit qendror i votimit do të mundësojë personalizimin e pajisjeve të identifikimit dhe votimit me të dhënat për zgjedhjet dhe zonat përkatëse.

Në fund të procesit sistemi grumbullon të dhënat nga të gjitha zonat dhe nxjerr rezultatin paraprak te votimit.

Mbas procesit të votimit të gjitha pajisjet lidhen me sistemin qendror (direkt ose memoriet e tyre) për të transferuar votat elektronike në sistemin qendror. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos