
Dy bombera përkrah njëri-tjetrit. Njëri në stol dhe tjetri me shiritin e kapitenit në fushë. Vllaznia e sezonit të ri do të rinisë nga sulmuesit që kanë përfaqësuar Shqipërinë, Migen Memelli në postin e trajnerit dhe Bekim Balaj si lojtari që do të udhëheqë shkodranët në fushë.
Kuqeblutë debutojnë këtë të shtunë në kampionat përballë Kukësit.
“Ndeshja e parë në shtëpi, hapim kampionatin dhe nuk mendojmë gjë tjetër veç fitores.
Kapiten?
Është ndjenjë krenarie dhe vlerësim por edhe përgjegjësi e madhe. Kam pasur fatin të luaj me shumë kapitenë dhe më erdhi radha. Shpresoj të jap më të mirën.
Skema e kampionatit?
Është çështje që nuk na takon ne. Klubet janë mbledhur dhe kanë rënë dakord. Ne duhet të luajmë në fushë. Objektivi është për të kapur katërshen, Europën dhe titullin kampion. Jam i bindur se kjo skuadër është gati”, tha Balaj.
Java e parë e Kategorisë Superiore nis këtë të shtunë në orën 17:00 me përballjen Egnatia-Skënderbeu. Të dielën, Laçi pret Erzenin, ndërsa në orën 20:00 zhvillohet derbi Dinamo-Tirana. (A2 Televizion)