Një tjetër yll zgjedh Arabinë, mbrojtësi lë City-n për ekipin e Ronaldos

Nga A2 CNN
24 Gusht 2023, 22:05 | Futboll

Një tjetër yll europian i është bashkuar Pro League-s së Arabisë Saudite.

Mbrojtësi spanjoll Aymeric Laporte ka braktisur Anglinë, ku për 5 vite mbajti veshur fanellën e kampionëve të Machester City, duke kompletuar transferimin te Al-Nassr.

Klubi saudit ka derdhur në arkat e kampionëve të Anglisë 23.5 milionë paund, duke i bashkuar 11-es së Cristiano Ronaldos një tjetër lojtar të kalibrit të lartë.

Mbrojtësi 29-vjeçar ka nënshkruar një kontratë trevjeçare me skuadrën saudite, nga e cila do të përfitojë 21 milionë paund në sezon.

Ai konfirmoi të mërkurën mbrëma se po largohej pas pesë vitesh e gjysmë nga Mançesteri, duke shkruar në rrjetet sociale: “Shumë kujtime që do t'i mbaj përgjithmonë pranë zemrës”.

Laporte largohet nga Etihad pasi bëri 180 paraqitje për “Qytetarët”, me të cilët fitoi 15 trofe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos