
Kukësi – Kastrioti është një ndeshje direkte për mbijetese. Dy skuadrat pozicionohen në zonën e ftohtë të klasifikimit dhe për këtë një tjetër hap fals do ia vështirësonte dhe më shumë rrugën për të qëndruar në elitën e futbollit shqiptar.
Në prag të sfidës tekniku i verilindorëve Rrahman Hallaçi u shpreh se beson te cilësia e skuadrës, ndërsa nuk nënvlerësoi aspak një kundërshtar si Kastrioti.
Po ditën e shtunë do të luhet takimi direkt për zonën Europë. Laçi pret në shtëpi Egnatian për të kërkuar vazhdimësi ndërsa rrogozhinasit do të provojnë të rikthehen tek fitorja. Ndërkohë të dielën, vëmendja është tek derbi i Shqipërisë mes Vllaznisë dhe Tiranës në Loro Boriçi.
Bardheblutë janë shkëputur me 6 pikë nga shkodranët, por kaq nuk mjafton për të krijuar siguri. Në anën tjetër do të luhet një tjetër derbi në stadiumin “Niko Dovana”, Erzeni pret Teutën. Dy ndeshje të programuara në orën 16:00.
Ndërsa të hënën, Partizani luan me Bylisin në orën 13:00 dhe mbyll javën e 21 të Superiores. (A2 Televizion)