
Partia Demokratike reagoi pas punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste me anë të deputetit Belind Këlliçi.
Këlliçi cilësoi kongresin si “shfaqje kooperativiste, në të cilën në fakt triumfoi banaliteti. Partia Socialiste sot tregoi para çdo shqiptari që është një parti e kalbur nga korrupsioni. Sot nuk kishte asnjë mesazh për të shpëtuar nga kriza e rëndë ekonomike shqiptarët e zakonshëm. Pas 9 vitesh qeverisje, Edi Rama i tregoi shqiptarëve se oferta e tij e vetme për vendin është hashashi!”.
Deputeti demokrat, pjesë e Komisionit të Rithemelimit, shtoi se “në vend të projekteve për hapjen e vendeve të reja të punës, sot Edi Rama kërcënoi drejtësinë për të treguar se ai ka qenë, është dhe do të mbetet i pakapshëm dhe i paprekshëm. Është e patolerueshme, e pafalshme dhe tërësisht kriminale presioni që Edi Rama ushtroi sot ndaj organeve të reja të drejtësisë”.
Sipas tij, “skenarët me drejtësi politike për të shpëtuar kryeministrin më të korruptuar të Europës i shërbejnë vetëm destabilizimit të vendit në një situatë shumë te delikate për Shqipërinë, rajonin dhe për perëndimin. Sot me të vërtetë Kongresi i Hashashit mund të quhet dhe kongresi Anti-SPAK sepse frika që ka kapur sot Edi Ramën nga afera më e fundit e inceneratorëve e detyroi atë t’i bënte një presion dhe shantazh të hapur drejtësisë”. (A2 Televizion)