
Ervin Resuli, ekspert për bujqësinë, u shpreh në A2 Business mbrëmjen e së mërkurës se në Shqipëri ka një rënie drastike të numrit të gjedhëve. Ai theksoi se nuk ka interes në aspektin ekonomik për të investuar.
“Ka një rënie drastike të numrit të gjedhëve dhe jo vetëm te fermat e vogla familjare, por edhe te fermat e mëdha, përjashtoi këtu fermat shumë të mëdha. Ky është një problem shumë i madh pasi kemi gati përgjysmim të numrit të krerëve në këto 4 vite.
Nuk ka interes në aspektin ekonomik për të investuar, pasi vetëm në vitin 2021, drithërat, imputet bujqësore kanë shkuar në nivele maksimale dhe skemat mbështetëse janë po ato që kanë qenë”, u shpreh Ervin Resuli, ekspert për bujqësinë.
Sa i përket mungesës së qumështit, Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, u shpreh se mungesa e zooteknikëve ka ndikim të drejtpërdrejtë në mungesën e qumështit.
“Në muajin dhjetor ne e kemi analizuar këtë situatë, ku u mblodhën, fermerë e blegtorë. Ky është një kompleks, nuk janë vetëm 2 apo 3 shkaqe. Nuk është vetëm subvencionimi. Në radhë të parë ne evidentuam mënyrën e kooperimit. Kështu të vetmuar siç kemi qenë dhe me këtë madhësi ferme që kemi nuk mund të përballojmë rajonin. Ne kemi eliminuar nga blegtoria profesionin e zooteknikun. Rënia e prodhimit të qumështit lidhet drejtpërdrejtë sepse nuk kemi zooteknik. Zootekniku është ai që ndikon drejtpërdrejtë në rritjen e prodhimit. Një element tjetër është mungesa e kullotave, ku kemi mungesë investimesh. Ne kemi një çrregullim total të kullotave. Njëkohësisht duhen ndryshuar edhe subvencionet”, tha Rrapaj. (A2 Televizion)