Me veshje ushtarake dhe të armatosur, paramilitarët sllovenë lëvizin në formacion në pyjet afër me Kroacinë.
Ata patrullojnë zonën kufitare, për të luftuar emigracionin ilegal. Grupi me mbi 50 persona të fuqishëm, disa prej të cilëve mbulojnë fytyrën me maskë, drejtohet nga Andrej Sisko, që është gjithashtu edhe lider i një partie nacionaliste, por pa deputetë në parlament. Ai beson se autoritetet po dështojnë në detyrën e tyre për të mbrojtur Slloveninë, nga ajo që e konsideron si kërcënim nga emigrantët.
“Është detyrë e të gjithëve ne që të garantojmë sigurinë e vendit tonë. Nëse organet e shtetit, që paguhen për këtë, nuk munden ose nuk duan të garantojnë siguri, atëherë do ta bëjmë ne. Kjo është ajo çfarë ne bëjmë”, shprehet Andrej Sisko, lider i grupit paramilitar.
Lideri i grupimit paramilitar thotë se nuk ndërmarrin asnjë veprim kundër emigrantëve të paligjshëm, por vetëm njoftojnë autoritetet për vendndodhjen e tyre dhe sa persona janë. Ndjenja kundër emigrantëve në Slloveni dhe në shtetet ish-komuniste është rritur ndjeshëm që prej 2015-ës, kur Europa Lindore u përball me krizën e refugjatëve. Vende të ndryshme të rajonit i kanë bërë rezistencë planit të BE-së për shpërndarjen e emigrantëve, megjithatë Sllovenia ka pranuar kuotat e Brukselit. Autoritetet njoftuan se pavarësisht këtij fakti, rreth 12 mijë refugjatë kaluan ilegalisht kufirin nëpërmjet Kroacisë. Gjithashtu shprehen se po monitorojnë me kujdes sjelljen e grupit anti-emigrantë. (A2 Televizion)