
Për epidemiologun Ilir Alimehmeti, varianti më i rrezikshëm dhe për të cilin duhet të mendojmë aktualisht është Delta dhe jo Omicron.
Në Debat me Alba Alishanin në A2 CNN, ai u shpreh se nuk duhet të largohet fokusi nga Delta, pasi po harrojmë të tashmen duke menduar për Omicron.
“Afrika e Jugut na intereson pasi edhe vaksinimin e ka në nivele të ulëta. Kjo është e rëndësishme për t’u parë. E keqja është se ne po na ikën fokusi nga Delta. Europa është në Delta dhe ne duhet t’i ruhemi këtij varianti, pasi është mes nesh. Ne po harrojmë të tashmen dhe po mendojmë për të ardhmen. Aktualisht që ne flasim kemi Deltën përballë dhe jo Omicron”, u shpreh Alimehmeti.
Ndërkohë, Laidon Shapo, specialist i shëndetit publik në Londër, u shpreh se me të dhënat aktuale nuk duhet t’i frikësohemi Omicron.
“Mendoj që Omicron nuk është variant që t’i frikësohemi aq shumë në sensin e shtrimeve spitalore apo vdekshmërisë për momentin. Në dy tre javët në vijim do të dalë më në pah fytyra e tij e vërtetë ndaj edhe vaksinave”, tha Shapo. (A2 Televizion)