
Shtetet e Bashkuara kanë prezantuar strategjinë e parë kundër korrupsionit. Fokusii luftës së administratës së presidentit Joe Biden do të jetë në parandalimin e aktorëve të këqij të përdorin sistemet financiare amerikane dhe ndërkombëtare për të fshehur asetet dhe pastruar para.
Plani anti-korrupsion me 38 faqe u publikua përpara samitit virtual për demokracinë, që mbahet këtë të enjte dhe të premte. Në të do të marrin pjesë mbi 100 përfaqësues të qeverive të ndryshme të botës, përfshirë Shqipërinë, anëtarë të shoqërisë civile dhe nga sektori privat. Sipas udhëzuesit anti-korrupsion, presidenti Biden do të bashkëpunojë ngushtë me aleatët për të zbuluar dhe ndëshkuar rastet e korrupsionit dhe krimit.
Plani përmban pesë shtylla kryesore të implementimit të strategjisë, përfshirë modernizimin e përpjekjeve për të luftuar korrupsionin duke i dhënë përparësi mbledhje së të dhënave dhe analizimit të tyre nga inteligjenca si dhe koordinimi mes industrive. Gjithashtu përfshin frenimin e financave të paligjshme përmes hapave të tillë si nxjerrja e rregulloreve të transparencës së pronësisë përfituese për të identifikuar aktorët e këqij dhe miratimi i rregulloreve të para të llojit të tyre që lidhen me transaksionet e pasurive të paluajtshme për të zbuluar kur pasuritë e paluajtshme përdoren për të fshehur paratë e fituara në mënyra të paligjshme ose për të pastruar përfitime kriminale.
Administrata amerikane planifikon të ndëshkojë aktorët e korruptuar duke shtuar përpjekjet diplomatike dhe shfrytëzuar burimet ndihmuese të huaja. Presidenti Biden e shndërroi në prioritet luftën ndaj korrupsionit dhe aktualisht synon të rivlerësojë kriteret për asistencën qeveri me qeveri për korrupsionin. (A2 Televizion)