Këshilli i BE i jep dritën jeshile liberalizimit të vizave për Kosovën

Nga A2 CNN
9 Mars 2023, 13:45 | Kosova
Këshilli i BE i jep dritën jeshile liberalizimit të vizave

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian sot miratoi në lexim të parë liberalizimin e vizave për Kosovën. Rregullat e reja do t'i lejojnë poseduesit e pasaportave të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh, në çdo periudhë 18- ditore.

Ky përjashtim nga kërkesa për vizë do të zbatohet që nga data kur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në fuqi ose nga 1 janari 2024, ose cilado datë më përpara. Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.

Ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard u shpreh se Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së.

Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash.

Komisioni do të vazhdojë të monitorojë në mënyrë aktive zbatimin e këtyre kërkesave, duke përfshirë harmonizimin e politikave të vizave, përmes mekanizmit pas liberalizimit të vizave.

Reagon Rama: Hap i vonuar padrejtësisht me vite!

Në lidhje me këtë lajm, ka reaguar edhe Kryeministri Rama, i cili e cilësoi si një hap të vonuar padrejtësisht me vite, që më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës.

“Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Europës! Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Europian”, shkruan Rama në reagimin e tij. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/03/09/vendimi-i-keshillit-te-be-per-liberalizimin-e-vizave-me-kosoven-presidenti-begaj-i-merituar/
https://a2news.com/2023/01/12/komisioni-i-pe-se-miraton-liberalizimin-e-vizave-per-kosoven/
https://a2news.com/2022/12/15/liberalizimi-i-vizave-pe-dhe-ke-i-japin-driten-jeshile-kosoves/

A2 CNN Livestream

Latest Videos