
Zëdhënësi i Bashkimit Europia, Peter Stano, është shprehur se tashmë jemi në mes të procesit për normalizimit të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, ndërsa në fund pritet të firmoset edhe propozimi i Bashkimit Europian.
“Ajo që po ndodh tani është që përfaqësuesi i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën të enjten dhe të premten, më 9 dhe 10 mars. Më pas ai do të vazhdojë për në Serbi të hënën dhe të martën, më 13 dhe 14 mars. Synimi i këtyre vizitave është që të vazhdojnë diskutimet pas takimit të fundit të nivelit të lartë të Brukselit. Ai do të takohet veçmas me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, si dhe ekipet e tyre, në mënyrë që të garantohet një vazhdimësi e përshtatshme dhe për të diskutuar modalitet e zbatimit të marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Natyrisht që kjo i paraprin takimit të radhës të nivelit të lartë që mbahet gjatë këtij muaji. Sigurisht që qëllimi i BE është që të ecim përpara në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe t’i çojmë ata drejt firmosjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve. Por kjo është diçka që ndodh në fund të procesit, ndërsa ne jemi në mes të tij. Takimi i javës së kaluar nuk kishte të bënte me firma, por me diskutimin e propozimit e BE, të cilin të dy liderët e mbështetën dhe pranuan se nuk ka nevojë që të diskutohet përmbajtja e këtij propozimi”, tha Stano. (A2 Televizion)