
Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët me Komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Jan Lipavský, deklaroi se “çdo hap në negociata përbën një mundësi për të çuar përpara aspekte të jetës së vendit”.
“Kërkesa për të hapur procese ndaj gjyqtarëve të korruptuar është kërkesë e kahershme e Bashkimit Evropian, që është në sinkron me kërkesën e popullit shqiptar, që e mbështeti fuqimisht reformën në drejtësi, duke mbështetur vetting-un dhe duke kërkuar që përmes tij të shkohet në ndëshkim ndaj atyre që shisnin e blinin të drejtën. Unë e kam mësuar si funksionon BE-ja dhe se si çdo gjë e shkruar është pjesë e memorjes së komisionit dhe ajo që thuhet sot, nuk harrohet nesër”, tha Rama.
“Çdo hap në negociata përbën një mundësi për të çuar përpara aspekte të jetës së vendit”, shtoi kreu i qeverisë.
Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský tha: “Zgjerimi i BE-së dhe integrimi i Ballkanit Perëndimor ka qenë shumë i rëndësishëm për Republikën Çeke. Ne mirëpresim dhe nxisim Shqipërinë që të harmonizohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së. Presim vijimin e reformave të nevojshme për të përmbyllur anëtarësimin në BE. Negociatat do të zhvillohen në bazë të një kuadri negociator të përgjithshëm. Shqipëria duhet të zbatojë reformat në fushat thelbësore, si sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe fuqizimin e institucioneve demokratike”.
Ndërsa komisioneri Olivér Várhelyi u shpreh: “Ky vendim historik dërgon një sinjal të fortë për Ballkanin Perëndimor, konfirmon rëndësinë e politikës së zgjerimit të BE-së. 8 vite pas statusit të vendit kandidat, sot nis një rrugëtim i ri. Mesazhi im drejt shqiptarëve është i thjeshtë: duam që të jeni pjesë e familjes evropiane. Nuk ka dyshim për këtë. Nga sot, do të injektojmë më shumë besueshmëri dhe dinamizëm në negociatat me Shqipërinë. Ne do të sigurojmë që Shqipëria të jetë e mirëpërgatitur për të qenë pjesë e familjes europiane”. (A2 Televizion)