Këshilli Kombëtar ‘online’, anulohen zgjedhjet e 29 korrikut, pezullohet Kryesia e Partisë Demokratike

Nga A2 CNN
28 Korrik 2023, 09:00 | Politikë
Këshilli Kombëtar ‘online’, anulohen zgjedhjet e 29

Zgjedhjet e 29 Korrikut për të caktuar kryetarin e ri të Partisë Demokratike nuk do të zhvillohen. Ishte ky vendimi i Këshillit Kombëtar të PD që u thirr nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe u zhvillua ‘online’.

Në përfundim të punimeve të kësaj mbledhje, Bardhi tha për mediat se të pranishëm ishin 245 anëtarë, por nuk tregoi asnjë provë për të vërtetuar këtë deklaratë.

“Shfuqizimin e vendimit të datës 6 Qershor 2023 të Kryesisë së Partisë “Për organizimin e procesit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike”, si dhe të gjitha vendimet/udhëzimet apo urdhrat që kanë pasuar këtë vendim deri në datën e këtij vendimi të Këshillit Kombëtar. Anulimin e procesit për zgjedhjet e Kryetarit të PDSH që ishte njoftuar për në datën 29 Korrik 2023”.

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM, GAZMENT BARDHI

Kryesia ishte organi tjetër që u prek nga vendimet e kësaj mbledhje, pasi veprimtaria e saj u pezullua dhe u quajtën të pavlefshëm të gjitha vendimet e marra prej datës 6 Qershor, që përkon me takimin kur u caktua hapja e garës për kreun e ri të Partisë Demokratike.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të20 Qershorit u konsiderua e pavlefshme gjithashtu, por edhe vendimi i Komisionit të Etikës që anulonte takimin e zhvilluar ‘online’. Bardhi njoftoi se është pranuar edhe dorëheqja e Lulzim Bashës nga drejtimi i partisë, që kishte mbetur pezull që prej vitit të shkuar.

“Pranimin e dorëheqjes datë 21 mars 2022 të Kryetarit të Partisë Demokratike z. Lulzim Basha dhe pranimin e dorëheqjes datë 17 Maj 2023 si Nënkryetar i Partisë Demokratike të z. Enkelejd Alibeaj”.

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM, GAZMENT BARDHI

Për të çregjistruar dhe emrin e Lulzim Bashës nga organet e gjyqësorit, ky këshill caktoi një grup prej 7deputetësh që do të vijojnë të gjitha procedurat në gjykatë.

“Këshilli Kombëtar i PDSH, si organi më i lart drejtues i Partisë, i autorizon që në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë ti drejtohen (si palë: paditës, i paditur, kërkues, person i tretë, ankues, etj.), gjykatave të të gjitha niveleve, për të kundërshtuar çdo akt të njëanshëm që bie ndesh me pikat 1 dhe2 të këtij vendimi, si dhe për të kërkuar çregjistrimin e ish-Kryetarit të dorëhequr të PDSH, sipas deklaratës publike të datës 21 Mars 2022, në regjistrin e partive politike”.

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM, GAZMENT BARDHI

Por menjëherë pas përfundimit të kësaj mbledhje, Partia Demokratike me anë të Sekretarit për çështjet ligjore, Indrit Sefa, njoftoi se nuk do të njihte asnjë vendim të Këshillit Kombëtar, që sipas tyre ishte imagjinar dhe se zgjedhjet për kryetarin e ri do të mbahen në29 Korrik sipas parashikimeve.

“Nuk ka gjë më qesharake se deklarata e sotme e Gazment Bardhit që ngarkon dhe shkarkon institucionet e PD, përfshirë dhe kryesinë, pasi përfundon një takim imagjinar. Çdo demokrat ndihet sot i turpëruar për këtë keqperdorje të radhës që Sali Berisha po i bën deputetëve të PD për interesat e tij personale. Hallet e Sali Berishës nuk janë hallet e demokratëve. Dhe të gjithë ata që i shërbejnë qëllimeve të tij e kanë të shkruar fatin e tyre në 3 dekadat e pluralizmit shqiptar. I urojmë zotit Bardhi suksese për krijimin e partisë së parë digjitale në vend. Është një hap inovativ që duhet përshëndetur. PD nga ana e saj do të vijojë normalisht procesin e reformimit të saj dhe të zgjedhjes së kryetarit në datën 29 korrik”.

INDRIT SEFA – SEKRETAR PËR ÇËSHTJET LIGJORE

Edhe Lulzim Basha, me anë të një postimi në mediat sociale teksa njoftoi mbylljen e fushatës, ftoi demokratët që të merrnin pjesë në zgjedhjet e të shtunës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos