
Opozita nuk do t’i përgjigjet me të njëjtën monedhë, të refuzimit, mazhorancës socialiste dhe do të paraqitet në mbledhjen e radhës së Këshillit Politik, por nuk do të heqin dorë nga kërkesa për t’iu drejtuar OSBE/ODIHR-it në lidhje me çështjen e koalicioneve që ndan palët.
Demokratët vetë nuk do të paraqesin propozime sa i përket përshtatjes në kod të ndryshimeve kushtetuese që lidhen me pragun elektoral, afatet e dorëzimit të koalicioneve dhe mënyrën e votimit.
“Ne kemi shumë ide dhe bindje mbi të gjitha çështjet që prekin organizimin e zgjedhjeve dhe menaxhimin e procesit, por i takon palës që me forcën e kartonit dhe mënyrë të njëanshme ka imponuar ndryshimet kushtetuese t’u bëjë të njohur vizionin e saj për këtë çështje”, u shpreh Ivi Kaso, sekretar për çështjet zgjedhore në PD.
Mazhoranca duket e vendosur të respektojë afatin e reflektimit të ndryshimeve kushtetuese në kod, deri më 30 shtator. Burime të A2 saktësuan se, Damian Gjiknuri po punon mbi një draft konkret. Deri tani, mazhoranca, nuk ka dhënë asnjë sinjal se mund të bëjë një hap pas për heqjen e koalicioneve parazgjedhore me lista të përbëra, siç kërkojnë demokratët.
A kanë ata në këtë rast një plan B? “Strategjitë elektorale janë të shumëfishta, parashikojnë çdo skenar. Çfarë këmbëngulim është se zgjedhjet e ardhshme do prodhojnë rotacion në çdo formulë”.
Pjesë e strategjisë së PD është edhe denoncimi i presionit që, sipas opozitës, po ushtrohen mbi administratën me qëllim sigurimin e votave për PS. Këtë herë, PD bëri publik formularët që vinin nga qytetit i Fierit të plotësuar me të dhënat personale të qytetarëve. (A2 Televizion)