Këshillimi Kombëtar, drejtorja e agjencisë: Barra e vendimmarrjes s’do bjerë mbi qytetarët

Nga A2 CNN
22 Janar 2022, 16:59 | Politikë
Këshillimi Kombëtar, drejtorja e agjencisë: Barra e vendimmarrjes

Viti i ri kalendarik, solli me vete edhe një iniciativë të re të qeverisë që këtë herë ka për qëllim marrjen e opinionit të qytetarëve për çështjet strategjike.

Nga ndarja me Maqedoninë e Veriut në rrugëtimin e përbashkët drejt BE-së, për të kaluar te Open Balkan, apo legalizimi i kanabisit. Formulari me 12 pyetje pritet t’iu dërgohet në banesë gjithë qytetarëve në vend.

“Ideja e pyetësorit mbetet e tillë që merret ideja dhe perceptimi i qytetarëve dhe natyrisht pretendojmë të marrim mendimin e qytetarëve për të patur një feedback në realizimin e iniciativave të mëtejshme”, u shpreh Eridiana Çano,  Drejtore e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Anketat do të shërbejnë për të njohur qeverinë me perceptimin e qytetarëve dhe sipas Çanos, kjo nuk do të thotë që barra e vendimmarrjes do të bjerë mbi ta. 

“Nuk do të thosha që kryeministri e ka me synimin që meqenëse qytetarët janë shprehur pro apo kundër do ua lemë barrë atyre”, shtoi Çano.

Edhe vetë qytetarët do të njihen me opinionin e bashkëkombësve të tyre. 

“Do të bëhet përpunimi i të dhënave dhe më pas sigurisht në faqen zyrtare të agjencisë për dialog do të dalin rezultatet si është përqindja”, tha drejtoresha.

Për realizimin e kësaj iniciative qeveria ka alokuar një fond prej 25 milionë lekësh të rinj, ku 5 prej tyre i jepen INSTAT-it vetëm për hedhjen e të dhënave online. 

“Këto janë kostot në bazë të tregut të punës në fakt janë paga për operatorët dhe mbikëqyrët”, përfundoi Çano.

Për të shmangur pyetjet mbi të dhënat personale të qytetarëve, anketat do të jenë anonime dhe nëse në fazën e parë shfaqen problem, Çano shton se kjo do të shërbejë si eksperiencë për pyetësorët e ardhshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos