
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ajo që ndodhi në 8 janar, në protestën para selisë së PD, i ka bërë të gjithë të kuptojnë se kush është Sali Berisha dhe synimet e tij.
“E gjitha gjoja filloi për arsye parimore por paska qenë për hallin e një njeriu. Sali Berisha filloi një lëvizje të tërë vetëm për hallin e tij personal. Dhe përfundoi ashtu siç iu thashë, ishte gati t’i vinte, ai bashkë me një grusht njerëzish që për karrigen e tyre janë gati t’i vënë zjarrin shtëpisë së tyre e treguan se kjo nuk është një betejë as për demokracinë, as për demokratët, por për hallin personal të Sali Berishës dhe për karriget e tyre”, tha Basha në një takim në njësinë numër 8 në kryeqytet.
Por Basha tha se nuk dëshironte një përplasje mes demokratëve, për të “mos ia dhënë këtë kënaqësi Edi Ramës”. “Jua kam thënë në fillim kush më ka pyetur, jo nuk e bëj. Lëre të shfryjë. E di që është plot me mllef, me zemërim, me gënjeshtra, por e keqja do ta bëjë ciklin e vet si çdo virozë, do të ketë edhe koston e vet si çdo virozë. Por, nuk luftohet duke i vënë demokratët përballë njëri-tjetrit dhe kjo është arsyeja besoj e kuptoni shumë mirë. 8 janari ua ka hapur sytë të gjithëve se pse kam marrë atë vendim dhe pse ai ishte vendim i drejtë. Dhe kjo është një arsye më shumë se pse sot jemi bashkë, jemi shumica absolute këtu”. (A2 Televizion)