“Këtë muaj takim me ndërmjetësuesit”, Kurti: Ekipi menaxhues për asociacionin e përfundoi punën e tij

Nga A2 CNN
7 Maj 2023, 16:24 | Kosova
“Këtë muaj takim me ndërmjetësuesit”, Kurti:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrojti vendimin e qeverisë së tij për shkarkimin e ekipit menaxhues, pas prezantimit të draft-statutit për asociacionin.

“Ekipi menaxhues e ka kryer funksionin e tij, s’kemi arsye ta dëgjojmë më, gjithçka çfarë pati për të thënë i tha më 2 maj në Bruksel. I ka përfunduar puna dhe lirimi nga detyra është proces i natyrshëm dhe i logjikshëm”, tha Kurti.

Kurti përsëriti edhe njëherë kundërshtimin e fortë për draft statutin e asociacionit duke thënë se qëllimi kryesor e ekipit menaxhues ishte krijimin e një Republika Sërpska në Kosovë.

“Hapat e radhës besoj se duhet të jenë një takim i yni me ndërmjetësit dhe besoj se kjo do të ndodhë gjatë këtij muaji. Pas këtij takimi do të mund të shohim cilat do të jenë hapat e tjerë përpara, e këta hapa duhet të jenë vetëm për zbatimin dhe sekuencimin e zbatimit”.

Kryeministri mbrojti vizionin e tij për vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë, të bazuar në modelin e Kroacisë për pakicat kombëtare, por të cilin Beogradi e refuzoi në takimin e 2 majit.

“Nëse Serbia e ka pranuar këtë gjë me Kroacinë, ne konsiderojmë se do duhet ta pranojë edhe me neve. Nuk jam i interesuar as t'i kontrolloj serbët, e as t'ua shkel të drejtat as atyre, asnjë minoriteti e qytetari të Republikës, dua t'u shërbej të gjithëve dhe në veçanti për Nenin 7 të marrëveshjes bazë un kam ofruar një draft vizion, për të cilën shpresoj që do të mund të marrë një vlerësim nga ndërmjetësit Europian”.

Shefi i qeverisë fokusin e riktheu sërish tek zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ndërsa përsëriti se ujdia është ende e vlefshme dhe e pandryshueshme, pavarësisht shkeljeve të shumta nga Beogradi.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos