Kikia: Pikat e Metës mund të qëndrojnë, por nuk rihapet dot kapitulli i Reformës në Drejtësi

Nga A2 CNN
25 Maj 2020, 10:40 | Politikë
Kikia: Pikat e Metës mund të qëndrojnë, por nuk rihapet dot

Vëmendja e opinionit publik po spostohet shumë shpejt në tema të ndryshme që deri diku ishin të ngurtësuara nga pandemia e koronavirusit.

Shembja e Teatrit, protestat e lindura si pasojë, ndërthuren tashmë me tryezën politike që do të përcaktojë reformën zgjedhore, por edhe vetë reformën në drejtësi, që ditët e fundit ka pësuar goditje nga çështja Daci dhe deklaratat e ambasadores amerikane për një tentative për dështim.

Sipas analistit Mentor Kikia, duke iu referuar iniciativës së Aleancës për teatrin, “protesta nuk humbi me shembjen, por fitoi sepse ishte një reagim qytetar. Ka shumë njerëz qe e kanë simpatizuar atë protestë qytetare”. Por ai shton se “protesta po shndërrohej në diçka pa sens dhe pa kauz”.

Për këtë arsye, Kikia mirëpret zërat që flasin për një shndërrim të Aleancës në në atë që mendohet të jetë “Koalicioni qytetar kundër diktaturës”, që ndër pikat e saj ka rrëzimin e pushtetit të Edi Ramës, dhe një kushtetutë të re.

“Eksperienca tregon se pas kriza të forta mund të lindin lëvizje, dhe unë mirëpres qartësimin e objektivave. Objektivat që dëgjoj janë madhore, gjëra që nuk po tentojnë të ndryshojnë dy partitë më të mëdha. Unë do lusja që lëvizja të mos jetë e kontaminuar me politikën e vjetër. Janë shumë qytetarët që kanë motive të protestojnë, por nuk kanë besim te opozita. Jemi shoqëri skeptike, nuk kemi nevojë për partinë e 76-të, por pikërisht për një frymë të re, që është e lexueshme në çdo qytetarë”, thotë analisti për A2.  

Një nga çështjet e hapura, duke qenë se përbën një nga amendamentet e Kushtetutës,  përfshin pikërisht reformën në drejtësi.

Kikia mendon se nuk ka hapësirë për ndryshime në ketë sens, sepse reforma është “investimi më i madh i ndërkombëtarëve dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara”.

Sipas tij, “SHBA nuk mendonin se do të kishte kosto kaq të mëdha në numrin e personave të përfshirë, si dhe në vakumet e krijuara”. Por kjo nuk do të thotë se Shqipëria ka luksin ta zhbëjë atë reformë.

Për këtë arsye, sipas tij, ambasada e SHBA-së ka reaguar negativisht për 14 pikat e presidentit Ilir Meta, “sepse rihapja do të duhet të përmbysë të gjithë mekanizmat politike, të hapi një luftë të re pozitë- opozitë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos