
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, priti në një takim zyrtar kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me të cilin bisedoi për luftën në Ukrainë, si dhe situatën në rajon dhe botë të ndikuar prej saj.
Gjatë një konference për shtyp, pas përfundimit të takimit, lideri kinez përsëriti apelin për të parandaluar përshkallëzimin e tensioneve në Ukrainë.
Xi i kërkoi palëve të përfshira në konflikt dhe aleatëve të tyre që të heqin dorë nga kërcënimet për përdorimin e armëve bërthamore, pasi diçka e tillë nuk do t’i shërbente askujt.
Lideri kinez bëri me dije gjithashtu se duhet shmangur një krizë e re në euroazi, ndërkohë që ndau detaje nga biseda me kancelarin gjerman, me të cilin mësohet të ketë biseduar dhe për rëndësinë e vijimit të furnizimit me energji dhe ushqime, të vendeve në nevojë. (A2 Televizion)