Kishin fshehur 26 pako heroinë në autobusin e linjës “Durrës-Milano”, në pranga dy persona

Nga A2 CNN
30 Prill 2023, 10:36 | Kronikë
Kishin fshehur 26 pako heroinë në autobusin e linjës

Njëzetegjashtë pako me lëndë narkotike, heroinë me peshë totale 13 kilogramë e 750 gramë janë gjetur nga policia në Portin e Durrësit, të fshehura në një autobus.

Bëhet e ditur se lënda narkotike u gjet pasi autoritetet në port kaluan për kontroll të detajuar në vijën e dytë një autobus të linjës  “Durrës-Milano”.

Nga kontrolli i imtësishëm u gjetën të fshehura në pjesën e pasme të autobusit, 26 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, e cila u sekuestrua.

Për rastin, në flagrancë u arrestuan Mikel Pici, 32 vjeç, banues në Rrogozhinë, pronari i firmës së linjës së autobusëve  “Durrës-Milano”; Piro Rushi, 57 vjeç, banues në Fier, drejtuesi i autobusit ku u gjet lënda narkotike.

Po ashtu, gjatë kontrollit fizik, njërit prej tyre, 32-vjeçarit Pici, iu gjet një dozë kokainë. Policia sekuestroi po ashtu edhe 8 celularë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos