Kishin humbur në kanionin e Gjipesë, shpëtohen dy turistet gjermane

Nga A2 CNN
17 Korrik 2019, 11:58 | Aktualitet

Dy turiste gjermanë janë shpëtuar nga Policia pasi kishin humbur një natë më parë në kanionin e Gjipesë, gjatë një turi në jug të vendit.

Sipas burimeve, aksioni për shpëtimin e tyre ka qenë i ndërlikuar dhe janë përdorur litarët për t’i nxjerrë me vështirësi nga vendi ku kishin mbetur.

Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të martës, ku dy turistet, me inicialet J.M dhe K.U (të dyja 37-vjeçare) duke eksploruar zonat malore të Kanionit të Gjipesë, Himarë, kanë humbur rrugën e kthimit duke ngelur të bllokuara. Për shpëtimin e tyre janë organizuar Policia e Himarës, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Zjarrfikëset e Bashkisë, të cilët filluan kërkimet për gjetjen e tyre pas 3 orë kërkimesh.

Mësohet se ata kishin dalë për të eksploruar zonën e bukur pranë gjirit të Gjipesë dhe fatmirësisht kanë arritur që të japin sinjalin për të kërkuar ndihmë, duke bërë të mundur kështu shpëtimin e tyre nga autoritetet. Fatmirësisht, asnjëra prej tyre nuk ka pësuar asnjë lëndim dhe të dyja ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos