“Kishte vendosur të fliste”, Berisha: Enver Sheshi u vra nga mafia e djegësve

Nga A2 CNN
16 Janar 2023, 12:16 | Politikë
“Kishte vendosur të fliste”, Berisha: Enver Sheshi u vra nga

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një dalje para mediave denoncoi “errësirën me të cilën qeveria përpiqet të mbulojë vdekjen e të ndjerit Enver Sheshi, arrestuar për aferën e inceneratorëve”.

“Pas komunikatës zyrtare, që ngjalli më shumë dyshime sesa sqaroi, një breshëri mesazhesh vërshuan nga qytetarët, të cilët shprehnin bindjen se i ndjeri Enver Sheshi është viktimë e mafies qeveritare të djegësve”, tha Berisha.

“Këto informata shtonin se Enver Sheshi, i arrestuar për një skemë të devijimit të parave të djegësve, kishte vendosur të fliste dhe pas kësaj, xhelati mafioz i kësaj afere të tmerrshme, që ka si kokë Edi Ramën, gjeti mënyrën, sipas burimeve, ta çojë në botën tjetër dëshmitarin e rrezikshëm”, shtoi kreu demokrat.

"Afera e djegësve është afera më flagrante, e cila dëshmon se Edi Rama dhe ministrat e tij, funksionuan tërësisht si një organizatë kriminale. Kreu i organizatës firmosi kontratën me një kompani në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me vendimin e Entit Kombëtar të Prokurimeve Publike, e cila i shkruante Këshillit të Ministrave se metoda e aplikuar për këtë kontratë, nuk ekziston në ligjet e vendit. Agjencia e Prokurimeve e bëri dy herë me radhë, por Edi Rama, duke e pasur ndërmarrje të vetën, pavarësisht këtij vendimi, firmosi një kontratë kryekëput në interes të vetin dhe klanit të aferës së djegësve. Po kaq i implikuar në këtë aferë është Engjëll Agaçi, është Arben Ahmetaj, pa firmën e të cilit, ose pa bashkëfirmën e të cilit me Edi Ramën, asnjë qindarkë nuk mund të merrej nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave për të paguar kompaninë e tyre të djegësave. I zhytur gjer në vesh është Erion Veliaj, i cili zgjodhi që me djegësin e Tiranës, të shndërrojë fushën e Sharrës në një minierë floriri për veten dhe Edi Ramën. Zgjodhi që përmes këtij pasurimi të çmendur duke vjedhur mbi 100 e sa milionë euro për djegësin e Tiranës, të firmoste vendime që këshilli nuk i kishte marrë ndonjëherë, të firmoste në emër të qarkut, për vendime që nuk i kishte marrë ndonjëherë”, shtoi më tej Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos