KLGJ, “dritë jeshile” një Apeli të vetëm. Ç'ndodh me dosjet në gjykim?

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2022, 16:32 | Kronikë
KLGJ, “dritë jeshile” një Apeli të vetëm.

Duke filluar nga 1 shkurti i vitit 2023, Gjykata e Apelit Tiranë do të jetë Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, pasi në zbatim të hartës së re gjyqësore në të do të shqyrtohet të gjitha ankimimet e vendimeve të Shkallës së Parë të juridiksionit të zakonshëm në vend. 

Kjo do të thotë që në këtë gjykatë do të transferohen të gjitha çështjet në gjykim apo në pritje të gjykimit në gjykatat e Apelit Durrës, Gjirokastër, Korçë, Shkodër dhe Vlorë. Referuar vendimmarrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor që i hap rrugën funksionimit të një gjykate të vetme Apeli në vend, pesë apelet në rrethe do të ndërpresin veprimtarinë në 31 janar të vitit të ardhshëm.

Ardhja në kryeqytet e togave të zeza të tyre e çon numrin aktual të 12 anëtarëve të Apelit në gati 25. Kancelarja e gjykatës shprehet: “Selia e gjykatës do të jetë këtu në Gjykatën e Apelit Tiranë. Ne kemi ambiente për 31 gjyqtarë, aktualisht janë zyra për gjyqtarët. Kemi edhe paradhoma për sekretaret gjyqësore të stafit të gjyqtarëve. Aktualisht jemi me 8 salla gjykimi, plus një sallë gjykimi, që është në pjesën në rikonstruksion”.

Në kushtet e gati 20 mijë dosjeve që presin gjykim vetëm në Apelin e Tiranës, shtimi i gjyqtarëve, i stafit mbështetës dhe dosjeve nga apelet e rretheve dikton marrje masash.

Për t’iu përshtatur shtimit të numrit të gjyqtarëve, të punonjësve, por edhe të dosjeve që do të shqyrtojnë Gjykata aktuale e Apelit Tiranë është duke rikonstrukturar katin e saj të nëndheshëm, duke krijuar një sallë të re gjykimi, por edhe një shumësi zyrash që do të shërbejnë për administratën dhe për arkivimin e dosjeve. 

Por, çfarë do të ndodhë me çështjet të cilat janë në gjykim në Apel?Proceset gjyqësore që janë në gjykim, apo janë shtyrë për gjykim pas datës 1 shkurt të vitit 2023, do të vazhdojnë gjykimin me të njëjtin trup gjykues. Sipas vendimit të KLGJ, çështjet e transferuara në Apelin e Juridiksionit të Përgjithshëm për të cilat nuk ka nisur gjykimi do të rishqyrtohen me short elektronik, në përputhje me kriteret e miratuara nga ky këshill.

Po sipas KLGJ, planifikimi i çështjeve në gjashtë apelet aktualë të vendit do të bëhen deri më datë 31 dhjetor 2022, rregull që nuk gjen zbatim për çështjet që konsiderohen urgjente.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos