KLSH për mësimin online: Universitetet dështuan të përshtateshin me Covid, shpërdoruan buxhetet

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2022, 14:26 | Aktualitet
KLSH për mësimin online: Universitetet dështuan të

Universitetet dështuan të përshtateshin me kushtet e pandemisë, keq menaxhuan buxhetin në dispozicion, ndërsa studentët dhe pedagogët e zhvendosur “online” nuk mundën të jepnin e merrnin dije.

Në këtë përfundim arrin Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një raport-kontrolli në Universitetin Politeknik të Tiranës, atë “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, “Fan S. Noli” të Korçës, “Ismail Qemali” në Vlorë dhe “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.

“Dhe në thelb unë mendoj se ajo që ndodhi me mësimin “online” në Shqipëri ka dëmtuar një herë e mirë besimin e qytetarit ndaj digjitales.”

Migen Qiraxhi (Qendra Qytetare)

Në kushtet që nevoja për para u bë e nevojshme më shumë se kurrë, universitet u treguan të paafta të orientonin buxhetet e tyre në drejtim të nevojave që pandemia diktoi, duke bërë që këto fonde të “digjeshin” dhe të mos përdoreshin.

“Në këtë moment ne mund të kuptojmë se sa apatike dhe sa jorealiste janë administratat e universiteteve tona.”

Migen Qiraxhi (Qendra Qytetare)

Një tjetër problematikë që ka cenuar ndjeshëm procesin mësimor në fakultete gjatë pandemisë, sipas KLSH-së është përzgjedhja në mënyrë individuale nga pedagogët të platformave ku zhvillohej mësimi “Online” si Google-classroom, Teams apo Zoom.

“Pra, Universitet nuk kishin as autoritetin për të përcaktuar platformën se ku do të punohej. Kjo nuk ndodh në asnjë prej universiteteve perëndimore”.

Migen Qiraxhi (Qendra Qytetare)

Në raportin e auditit, Kontrolli i Lartë i Shtetit diktohet gjithashtu pamundësia e universiteteve për t’u ofruar studentëve mundësinë e kryerjes së testeve ndaj Covid-19, apo edhe e të tjera pajisjeve të nevojshme për menaxhimin e situatës së krijuar nga koronavirusi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos