Prurjet e ardhura nga Tepelena dhe Memaliaj kanë rritur nivelin në Vjosë, por pa rrezikuar që lumi të dalë nga shtrati.
Sipas shtabit të emergjencave civile, niveli ka arritur në 6.8 metra dhe qëndron në të njëjtat nivele prej disa orësh edhe pse niveli i prurjeve nga Tepelena ka rënë. Megjithatë raportohet se situata mbetet në kontroll për shkak të forcimit të argjinaturës.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, prej natës së mbrëmshme të gjitha strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë dhe janë marrë të gjitha masat. Vëmendje e shtuar ka në bashkitë Mirditë, Kurbin, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Shijak, Krujë, Memaliaj, Tepelenë, Gjirokastër, Mallakastër e Berat, ku reshjet ishin më të shumta. (A2 Televizion)