
Koalicioni opozitar finalizoi këtë të mërkurë marrëveshjen me të cilën do të regjistrohet në zgjedhje. “Partia Demokratike – Aleanca për ndryshim” është emri që PD dhe aleatët e saj kanë zgjedhur për të garuar më 25 prill.
Por një prej aleatëve të PD, Nard Ndoka, kryetari i Partisë Demokristiane, nuk e ka firmosur që në fillim marrëveshjen e nënshkruar nga Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule, Bamir Topi e të tjerë.
“Nuk besoj se do të firmos”, ka thënë ai në një komunikim për A2, duke vënë kështu në pikëpyetje nëse do të jetë apo jo në koalicion. I pyetur për pjesëmarrjen në zgjedhje, Ndoka është shprehur se nuk e ka ende të qartë sesi do të garojë më 25 prill.
Por në orët e vona të mbrëmjes u arrit marrëveshja me kreun e Partisë Demokristiane duke e caktuar në një zonë të sigurt në Shkodër.
(A2 Televizion)