
Nëse Kodi i ri penal miratohet, do të kemi probleme të rënda që do të prekë çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Kështu i sheh juristi, Jordan Daci, draft-propozimet për ndërhyrjet në Kodin Penal. I ftuar në Ditari në A2 CNN, ai shprehet se përveç injorancës gjuhësore, ky kod ka edhe figura të tjera që asnjë teori e së drejtës penale botërore nuk i njeh.
“Ai nen ka nevojë për riformulim të thellë e të kujdesshëm për mënyrën se si është hartuar, sepse lë vend që edhe një artist të dënohet, si p.sh., revista e karikaturave Charli Hebdo të dënohej disa herë. E vështirë të mbash ekuilibër mes lirisë së shprehjes dhe të mos cenosh nderin e personit. Ky nen ka prekur median, por ju duhet të keni interes për të gjitha kodin. Duhet të mos miratohet, sepse do të kemi probleme shumë të rënda. Ka injorancë gjuhësore të shqipes dhe disa figura të tjera që asnjë teori e së Drejtës Penale botërore nuk i njeh. Hartuesit janë munduar ta kthejnë në udhëzues dhe duke futur norma proceduriale po tentojnë të kopjojnë Kodin e Napoleon Bonapartit”.
Me syrin e profesionistit, Daci thekson se këto detaje e nxjerrin gjyqtarin jashtë loje. Sipas tij, Kodi Penal kishte nevojë për rishikim të disa neneve, por nuk lejohet të ndryshohet para zgjedhjeve, sepse prishen ekuilibra të rëndësishëm.
“Neni i vjetër ka qenë shumë më mirë i formuluar. Këto detaje e nxjerrin gjyqtarin jashtë loje, mund të kemi raste që një sjelle të jetë e rëndë, por nuk është neni i gjatë. Nuk është momenti i duhur për ta ndryshuar, nuk lejohet para zgjedhjeve, se ndryshon ekuilibra të rëndësishëm. Duhet të rishikohen disa nene”.
Për juristin Daci, këto ndryshime janë të motivuara politikisht. Ai sqaron se është guxim i tepruar që të ndryshohet kodi penal për një kohë kaq të shkurtër, pa u konsultuar me ekspertë dhe grupe interesi, kur në botë një kod i tillë kërkon 5-10 vite punë.
“Nuk mund të bëhet për 4 muaj pasi e punojnë dy veta dhe nuk ka konsultime. Ajo që vërejmë është unifikimi i sistemit të dënimeve. Ka humbur lidhja mes shkeljes dhe dënimeve. Ka pasur guxim të madh që Kodi të ndryshohet nga një apo dy veta. Duhet atribut nga shumë fusha, duhet një vit t’u lihet avokatëve, të diskutohet me të gjithë grupet e interesit. Bota merr 5-10 vite për ta ndryshuar, këta e ndryshojnë për 2 muaj. Nuk mund të bëhet vetëm për një muaj, ose dy. Duke qenë se shpenzohen para për këto projekte që duhen bërë me ekspertë, s’ka pasur thirrje për ekspertë dhe këto janë probleme. Nuk besoj te opozita që është në parlament. Mazhoranca ka provuar që mund të bëjë çdo gjë. Ka probleme skandaloze në të. Dëm i madh se do të duhen dhjetëra vite për të gjetur ekuilibrin e humbur”.
Juristi Daci akuzon edhe SPAK-un, kur thotë se dënimet e tij janë skandaloze në krahasim me atë që përcakton ligji. Sipas Dacit, kjo gjykatë ka shkatërruar parimet gjyqësore të së drejtës, ndërsa shigjeton Ministrinë e Brendshme për ndërhyrjet joprofesionale.
“Ka luhatje, ka gjykata që çalojnë shumë nga pikëpamja profesionale e njerëzore. SPAK për mua nuk bën gjyq, paragjykimi është i frikshëm. Dënimet janë skandaloze, në krahasim me atë që përcakton ligji, praktika e kësaj gjykate ka shkatërruar parimet gjyqësore të së drejtës.
Por, mos të harrojmë që një shoqëri demokratike nuk matet me numrin e burgjeve dhe të të dënuarve, por me shoqërizimin e njeriut, t’i dënojë për krimin dhe të kthehen të dobishëm për shoqërinë. Ne fusim në burg për lidhje energjie. Këto lloj veprash, e të tjera, me ndërhyrje joprofesionale të Ministrisë së Brendshme, që është kthyer në drejtori dekodifikimi, e zhbën këtë. Ministria e Brendshme përbëhet nga njerëz të paaftë. Më shumë dënohesh për armën se për vrasjen”. (A2 Televizion)