
Gazmend Koduzi, kreu i departamentit të Shëndetësisë pranë Partisë Demokratike, deklaroi në studion e “Absolut 4” se situata e Covid-19 “është e vështirë, në prag kolapsi”.
“Situata është e vështirë, ka arritur prag kolapsi. Situata ka qenë gjithmonë jashtë kontrollit, rastet aktive të Shqipërisë kanë qenë gjithmonë në rritje, ndërsa te vendet e tjera ka pasur momente zbritjeje. Kjo tregon se nuk ka aspak kontroll”, deklaroi Koduzi.
Klodiana Kapo, kryeredaktore e “faktoje.al”, theksoi se “sot ne ende flasim për gjurmim dhe testim, ndërkohë që vendet e tjera kanë vënë në jetë strategjitë afatshkurtra”.
“Ne kemi hemorragji mjekësh e infermierësh, Tirana mban peshën kryesore të trajtimit, në Vlorë e Gjirokastër nuk ka mjekë anestezist, në Tepelenë ka vetëm një mjek… për të mos folur për aparaturat në spitale”, shtoi Kapo.
Por, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, theksoi se nuk mund të flasim aspak për kolaps.
“Mund të ndodhë, por deri në këtë moment jemi në kontroll. Plani u bë që çdo spital rajonal të kishte 40 shtretër për Covid dhe sot janë gati. Nuk mund të quajmë spital atë pikë urgjence që ndodhet në Tepelenë. Shërbimet, qytetarët e Tepelenës i marrin në Gjirokastër”, deklaroi Brataj. (A2 Televizion)