
Policia ka dhënë detaje për sekuestrimin e një tjetër sasie kokaine në Portin e Durrësit.
“Finalizohet një tjetër operacion policor për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta. Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”. Sekuestrohen 31 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë. Shoqërohen në DVP Durrës, 8 persona”, lexohet në njoftimin e policisë.
“Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionin policor të administruar nga Policia shqiptare, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në një kontenier të ngarkuar me banane, që kishte ardhur nga Ekuadori, për llogari të një firme në Tiranë, duke qenë se nga kontrolli me skaner nuk ishte konstatuar ngarkesë tjetër përveç arkave me banane. Si rezultat i kontrollit me qen antidrogë, shërbimet e Policisë konstatuan në 2 arka bananesh, 31 pako, të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë totale 33.5 kilogramë. Në vijim të operacionit janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale, 8 persona, pjesëtarë të firmës që priste ngarkesën me banane dhe punonjës të skanerit në Portin e Durrësit. Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Policisë së Shtetit vijojnë veprimet për zbardhjen e këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës. Operacioni vijon”, shton njoftimi. (A2 Televizion)