Kolumbia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës sekuestruan mbi 7,5 tonë kokainë, me vlerë 286 milionë dollarë, në një operacion të përbashkët të zhvilluar të mërkurën e 1 korrikut. Kjo është sasia më e madhe e kokainës e kapur që prej nisjes së pandemisë.
Lënda narkotike ishte e përzierë me materiale ndërtimi dhe po transportohej me anije nga qyteti kolumbian Kartagjena, në Panama, thanë autoritetet kolumbiane.
Sipas tyre, droga i përkiste organizatës kriminale “Klani i Gjirit” (Clan del Golfo) dhe kishte si destinacion grupe të tjera kriminale në Amerikën Qendrore dhe Europën. Statistikat tregojnë se gjatë vitit 2019 prodhimi i kokainës së pastër në Kolumbi u rrit me 1,5%, duke arritur në 1 137 000 kilogramë, edhe pse sipërfaqja e mbjellë u zvogëlua ndjeshëm.
Kolumbia mbetet një prej prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë. Grupet kriminale, rebelët e majtë dhe forca paraushtarake të ekstremit të djathtë janë të gjitha të përfshira në këtë aktivitet të jashtëligjshëm, prej të cilit sigurojnë të ardhura për të mbështetur objektivat e tyre. (A2 Televizion)