
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi reagoi për protestat e ditëve të fundit në rrugët e Tiranës, por edhe qyteteve të tjera, ku dhjetëra të mitura janë për pjesë e tyre.
KMD fton prindërit të mos lejojnë fëmijët e tyre në këto protesta pasi mund të përballen me trauma dhe rënda dhe i kërkon policisë të zbatojë protokolle të veçanta për ta.
“Përfshirja e të miturve në situata që degradojnë në përplasje të dhunshme me Policinë e Shtetit mund të rezultojë në përvoja traumatike, kundërvajtje penale dhe me rrezikshmëri për integritetin e tyre fizik dhe psikologjik.
Për këtë arsye, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerëson që fëmijët e mitur të këshillohen nga familjarët e tyre për pasojat e përfshirjes në akte te dhunshme dhe incidente me policinë. Po ashtu, KMD i bën thirrje Policisë së Shtetit të zbatojë protokolle të veçanta për përballjen me të miturit në protesta apo shoqërime në rajone policore, duke ofruar shërbim të shtuar të punonjësve socialë dhe psikologëve”, shkruhet në njoftimin e KMD.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi fton të gjithë qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. (A2 Televizion)