Vrasja e Klodian Rashës, protestë në Durrës, të rinjtë mblidhen para godinës së policisë

Nga A2 CNN
12 Dhjetor 2020, 18:37 | Aktualitet

Ashtu sikurse në kryqytet, një protestë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha po zhvillohet edhe në qytetin e Durrësit.

Një grup të rinjsh, kryesisht minorenë, me pankarta dhe thirrje, po marshojnë drejt godinës së policisë, ashtu sikurse një ditë më parë. Ata kërkojnë lirimin e shokëve të tyre të ndaluar një natë më parë nga policia.

Më herët gjatë ditës një manifestim i dhunshëm u regjistrua në qytetin e Shkodrës, ku manifestuesit hynë dhe në zyrat e Partisë Socialiste dhe e shkatërruan plotësisht atë.

Kujtojmë se një sërë protestash janë zhvilluar në vend pasi 25-vjeçari, Klodian Rasha, u qëllua për vdekje me dy plumba nga një efektiv, gjatë natës mes 8 dhe 9 dhjetorit, pasi po e ndiqte sepse kishte shkelur orën policore, të vendosur për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vend. Ky i fundit, është arrestuar për tejkalim të kushteve të vetëmbrojtjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos