Komisioni Europian reagoi përsëri ndaj zhvillimeve politike në Shqipëri. Zëdhënësja për Zgjerimin, Fqinjësinë e Mirë dhe Partneritetin Ndërkombëtar, Ana Pisonero, shkroi në Twitter se çdo ndryshim pas marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik duhet të ruajë objektivin që Shqipëria ka.
“Është thelbësore që marrëveshja e 5 qershorit mbi Reformën Zgjedhore të ruhet, duke parë nevojën e përmbushjes së rekomandimeve të OSBE/ODHIR, një kusht i vendosur nga Këshilli i Europës marsin e kaluar, para konferencës së parë ndërqeveritare. Çdo ndryshim i mëtejshëm legjislativ nuk duhet të vërë në rrezik këtë objektiv parësor”, u shpreh Pisonero. (A2 Televizion)