Komisioni Hetimor cakton 18 majin për seancë dëgjimore me Presidentin

Nga A2 CNN
11 Maj 2021, 12:35 | Politikë
Komisioni Hetimor cakton 18 majin për seancë dëgjimore me

Komisioni Hetimor caktoi datën 18 maj si ditë e ballafaqimit me presidentin Ilir Meta. Në mbledhjen e fundit, anëtarët e komisionit vendosën se duhen zhvilluar edhe 5 mbledhje të tjera dhe më kryesorja, është ajo e përballjes me presidentin që kërkojnë ta shkarkojnë.

“Kemi parashikuar, duke filluar nga e marta, në datë 18 seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, data mund të jetë fleksibël nëse biem dakord të diskutohet edhe me zyrën e presidentit”, deklaroi Alket Hyseni.   

Shkarkimi i kreut të shtetit duhet të bazohet në prova që vërtetojnë shkelje të rënda kushtetuese. Ish-avokati i Metës, Spartak Braho, që e përfaqësoi në Gjykatën e Lartë gjatë shqyrtimit të video-përgjimit Meta-Prifti kishte një merak për materialet filmike.

“Do të kërkoja që këto materiale të transkriptohen. Nuk shkon. Unë jam marrë me të tilla ekspertime, ka pretendime për manipulime me audio dhe video. Por t'i kemi të transkriptuara është edhe më serioze për komisionin”, nënvizoi Braho.  

https://a2news.com/2021/05/06/miratohet-ngritja-e-komisionit-hetimor-per-presidentin-meta/

Myslim Murrizi nga ana e tij nuk i cilësoi prova daljet publike të presidentit në media, por është në pritje të përgjigjeve nga institucionet e inteligjencës për takimet e Presidentit.

“Nëse ka kontakte me elemente të cilat janë të skeduar nga shërbimet përkatëse si elemente antishqiptare apo ku di unë, dhe na vjen zyrtarisht nga shërbimi, për mua është fakt”, deklaroi ai.  

Anëtarët e komisionit vendosën të shtyjnë miratimin e ekspertëve që do të asistojë punën e deputetëve, por si kandidatura paraprake ishin Erind Mërkuri dhe Viktor Gumi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos