Komisioni Hetimor për Metën, Dvorani: Presidenti tejkaloi kompetencat

Nga A2 CNN
28 Shkurt 2020, 13:07 | Aktualitet
Komisioni Hetimor për Metën, Dvorani: Presidenti tejkaloi kompetencat

Kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani është thërritur për të dëshmuar këtë të premte në Komisionin Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Kryetari i KED-së, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të komisionit në lidhje me të gjithë procedurën e hartimin e listave të kandidatëve për në Kushtetuese, temë kjo që ka trazuar politikën muajt e fundit dhe kanë detyruar presidentin Meta të thërrasë një manifestim, të cilin ai e quan “besëlidhje të dytë”, më 2 mars.

Ardian Dvorani deklaroi se KED është përballur me një situatë të jashtëzakonshme pasi shumë kandidatë kishin aplikuar njëherësh në shumë vende vakante për insititucionet e reja. Ai deklaroi se presidenti tejkaloi kompetencat dhe duhet të reagonte në mënyrë më të vetëpërmbajtur.

“Është spekulim që u përzgjodhën enkas aq pak kandidatë në finale. Ishin pak ata që plotësonin kushtet. Afatet ishin tejkaluar prej 1 viti dhe ne duhet t’i bënim të gjitha njëherësh.  Ishte dhe përvoja e parë. Shumë kandidatë kishin aplikuar njëherësh në disa vende. Presidenti duhet të ishte i vetëpërmbajtur si organ emetese, mos të reagonte në atë mënyrë. Duke na rekomanduar me shkresë të bëjmë kujdes me përzgjedhjen dhe të bashkëpunojmë me institucionet e tjera. Ishte dukshëm në tejkalim të kompetencave kushtetuese”, tha Dvorani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos