
Ministria e Shëndetësisë rrit vigjilencën në të gjitha strukturat shëndetësore për të përballuar çdo rast të mundshëm me koronavirus.
1,2 milionë maska janë shpërndarë për personelin mjekësor në qendrat shëndetësore dhe spitale.
Gjatë mbledhjes së Task Forcës, ministrja e Shëndetësisë deklaroi se deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar edhe pse Shqipëria nuk mund të jetë imune ndaj virusit që ka prekur të gjitha vendet përreth nesh.
Mbi 300 persona që kanë ardhur nga vendet e prekura me koronavirus, mbahen nën monitorim nga Urgjenca Kombëtare, ndërsa numri i thirrjeve, në 24 orë, ka shkuar në 5 mijë.
Në Spitalin Infektiv janë shtuar dhomat e izolimit për të trajtuar çdo rast të mundshëm. Me përcaktimin e karantinës, kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi se Kavalishenca i përmbush të gjitha standardet e OBSH-së dhe tashmë është në gatishmëri.
Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit raportuan se në të gjitha shkollat janë shtuar masat higjieno-sanitare.
Nuk ka mungesa të ujit dhe as detergjenteve, ndërkohë, në klasa kryhen orë informimi në lidhje me koronavirusin.
800 mjekë dhe infermierë janë trajnuar për çdo situatë të mundshme, ndërsa specialistët përsërisin apelin për qetësi, pasi gripi i stinës është më i rrezikshëm se virusi në qarkullim. (A2 Televizion)