Hetimi parlamentar i zgjedhjeve, dhjetëra institucione nuk kthejnë përgjigje. PD kërcënon me padi penale

Nga A2 CNN
17 Nëntor 2021, 13:36 | Politikë
Hetimi parlamentar i zgjedhjeve, dhjetëra institucione nuk kthejnë

41 institucione publike nuk i kanë kthyer përgjigje kërkesave të komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit. Kjo bëri që mbledhja e radhës të shoqërohej me debate ndërmjet maxhorancës dhe opozitës, ndërsa kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj, kërcënoi me padi penale këto institucione që kanë injoruar shkresat e Kuvendit brenda afateve të përcaktuara. 

Jo të gjitha institucionet shtetërore iu përgjigjën kërkesave të Komisionit Hetimor për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. 41 dikastere, midis tyre edhe Bashkia e Shkodrës, që drejtohet nga një demokrate, nuk kishin kthyer përgjigje, gjë që për drejtuesin Enkelejd Alibeaj do të thotë kallzime penale: “Nëse në orën 16:00 do të rezultojë se ka ende përgjigje të paardhura, do të konsiderohet se ky detyrim ligjor ndaj Kuvendit nuk është përmbushur dhe duke qenë i tillë, duhet të reagojmë së paku duke paraqitur kallzimin penal për shpërdorim detyre ndaj institucioneve që nuk kanë kthyer përgjigje”. 

Mbrojtja më e mirë është sulmi e pikërisht këtë bëri maxhoranca në komision, duke akuzuar PD-në se edhe ajo vetë kishte refuzuar t’i përgjigjej komisionit. Toni Gogu tha: “Refuzimi për të dhënë informacion nga PD-ja për arsye se, sipas saj, kërkesa e komisionit hetimor është jashtë objektit të punës së këtij komisioni, është tërësisht i paligjshëm”.

Përgjigjen, deputetit socialist ia dha personi që kishte firmosur shkresën në emër të demokratëve, Gazment Bardhi: “Nëpërmjet kërkesës së deputetëve të Partisë Socialiste synohet të mblidhen të dhëna të organizimit të fushatës së PD-së, strukturave përbërëse të saj, burimeve njerëzore të PD, se nuk i kanë futur ende në sistemin e tyre të patronazhistëve”.

Mbledhja zgjati për mbi tre orë me diskutime proceduriale. Deputetja Blerina Gjylameti e kishte një shpjegim pse: “Monolog i paparë i skenave botërore të aktrimit me shpresën e vetme që kohën e foltores do ta merrni këtu. E vetmja gjë që nuk bëtë, është se kur një forcë politike humbet, ndërron kryetarin. Ju nuk ndërruat kryetarin, kërkoni komisione hetimore për të justifikuar humbjen e radhës”.  

Në mbledhjen e radhës, anëtarët ranë dakord që të hapin përgjigjet e mbërritura nga institucionet, për t’i shqyrtuar ato.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos