
Ndërkohë që procesi i numërimit në Shkodër është drejt fundit dhe Bardh Spahia kryeson me mbi 43% të votave, ka reaguar edhe Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Komisioni i Rithemelimit falënderon të gjithë demokratët dhe anëtarët e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, për mbështetjen e tyre në zgjedhjet e 6 Marsit, ndërsa shprehet se u përballën jo vetëm me regjimin e Ramës, por edhe me PD-në të cilën e quan fasadë dhe shtojcë të kryeministrit.
“Një falenderim për Shkodrën dhe qytetarët e saj të cilët me mbështetjen e tyre për kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Bardh Spahia, dëshmuan se Shkodra si gjithnjë mbetet Rozafa e lirisë së shqiptarëve. Në këto zgjedhje, ne u përballëm jo vetëm me kreun e Meduzës, por edhe me shtojcat e tij, që duan ta mbajnë Partinë Demokratike opozitë fasadë, peng të regjimit. Gjithsesi, vota e popullit opozitar tregoi qartë se demokratët dhe opozita e vërtetë nuk mund të nënshtrohen dhe nuk mund të merren peng. Ajo është gati për t'u ringritur plot besim dhe shpresë”.
Duke qenë se PD-ja u tkurr në këto zgjedhje të pjesshme vendore dhe doli forca e tretë, Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike thekson që është opozita e vetme dhe e vërtetë dhe u bën thirrje demokratëve të bashkohen për rithemelimin e PD-së.
“Vota e qartë e 6 Marsit tregoi se demokratët nuk duan t'i shkojnë pas në greminë, një kllouni që pas 6 humbjesh deklaron se nuk ka humbur kurrë dhe që provon se nuk do të arrijë të kalojë dot as pragun elektoral. Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, opozita e vetme dhe e vërtetë: I bën thirrje të gjithë anëtarëve, mbështetësve, drejtuesve, deputetëve që janë në Partinë Demokratike për shkak të idealeve dhe jo të interesave, t’i bashkohen vullnetit të popullit opozitar për një Parti Demokratike të Rithemeluar më të hapur, më të fortë dhe më të bashkuar!” (A2 Televizion)