
Hetimi palamentar i kontratave për ndërtimin e inceneratorëve është futur në ngërç. Maxhoranca refuzoi të merrte pjesë në mbledhjen e komisionit, nën argumentin se ka përfunduar sesioni parlamentar, ndërsa opozita ngriti akuza ndaj kryesocialistit Edi Rama si mbrojtësi kryesor i aferës që po hetohet edhe nga SPAK.
Mbledhja e komisionit hetimor për inceneratorët dështoi pa nisur. Deputetët e maxhorancës nuk shkuan në mbledhjen e komisionit, nën argumentin se ka përfunduar sesioni parlamentar, rrjedhimisht duke bllokuar mbledhjen për mosarritjen e kuorumit të nevojshëm. Partia Demokratike, forcë e cila ka edhe drejtimin e këtij komisioni hetimor, e cilësoi veprimin e parlamentarëve socialistë si të qëllimshëm.
Jorida Tabaku u shpreh: “Ne kemi kërkuar që hetimi të vazhdojë me Edi Ramën, si person i lidhur dhe mbrojtësi kryesor i aferës së inceneratorëve. Pa bërë drejtësi për të gjithë këto persona, SPAK dhe komisioni hetimor nuk kanë për ta kryer punën e tyre. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk ka për ta ndalur punën e këtij komisioni”.
Puna e Komisionit është bllokuar edhe për shkak se disa institucione nuk kanë vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar nga deputetët: “Unë sot e kuptoj se përse institucionet shtetërore refuzojnë të japin përgjigje dhe i njoftova anëtarët e komisionit të Partisë Demokratike që do të vazhdojmë me padi penale”.
Pavarësisht se sesioni parlamentar është mbyllur të hënën e kësaj jave, kjo nuk e ka penguar komisionin parlamentar për ekonominë dhe financat që të zhvillojë dy mbledhje në dy ditët e fundit, duke ngritur edhe më shumë polemikat ndërmjet PS-së dhe PD-së mbi vullnetin për hetimin e kësaj çështjeje. (A2 Televizion)