
Nga 22 prilli, fermerët që merren me prodhimin e qumështit mund të aplikojnë për të përfituar kompensimin 10 lekë për litër. Zv.ministri i Bujqësisë, Dhimitër Kote shpjegon ekskluzivisht për A2 CNN kushtet që duhet të plotësojnë fermerët, ku i pari është regjistrimi dhe pajisja me NIPT, çka do t’u mundësojë që të marrin dhe të japin fatura. Por si do të funksionojë skema?
“Fermerët dorëzojnë faturat e qumështit që kanë marrë nga pikat e grumbullimit ose përpunimit të qumështit, për të marrë vlerën e qumështit nga janari deri në dhjetor të vitit 2019. Ndërsa një fermer që nuk ka NIPT, shkon të regjistrohet dhe paguan sigurimet shoqërore për tre muaj”, thotë Dhimitër Kote, zëvendësministër i Bujqësisë.
Për zv.ministrin, skema e kompensimit është ndihmë direkte për fermerët e vegjël, pasi për ata të mëdhenj, mbështetja financiare do të kufizohet në vetëm 700 mijë lekë në vit. (A2 Televizion)