
Banorët e kompleksit "Jedas" në Durrës, i dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, vijojnë të jetojnë ku të mundin, ndërsa ende në kompleks nuk ka nisur puna për riparimin e tij.
Edhe pse bashkia miratoi projektin e ndërhyrjes së bashku me vlerën përkatëse financiare, firma që do të kryente riparimet është tërhequr me pretendimin se vlera reale e punimeve është shumë më e lartë nga ajo e përcaktuar në projekt.
“Kostoja e cila është përllogaritur për pallatin nuk mjafton, institucionet duhet të bëjnë verifikimet e duhura. Jemi të demoralizuar, është mundi ynë që po qëndron këtu, vijmë sikur të jenë varreza”, protestojnë qytetarët që banonin në kompleks.
Banorët kërkojnë nga qeveria që ta marrë seriozisht riparimin e objektit të tyre, ashtu sikurse u sollën para zgjedhjeve.
“Kërkojmë një sqarim, ashtu sikur vinin para zgjedhjeve, tani nuk po vjen njeri”, vijojnë banorët.
Fondi i përcaktuar për riparimin e pallatit me sipërfaqe totale 32 mijë metra katrorë është 247 milionë lekë të reja. (A2 Televizion)