
Lehtësimi i masave, Brataj: Mund të rishikohen më tej
Në emisionin Absolut 4 në A2 u diskutua rreth situatës së pandemisë në vendin tonë dhe vendimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve që lehtësoi disa nga masat.
Për kreun e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, situata në Shqipëri është relativisht e mirë, por duhet treguar kujdes pasi virusi nuk është zhdukur ende.
Për sa i përket lehtësimit të masave, Brataj u shpreh se ato mund të rishikohen më tej bazuar në situatën epidemiologjike.
“Duhet t’i lexojmë shifrat me kujdes. E di që janë 43 pacientë, po shtrime ka ende në spital. Marrja e masave bëhet në bazë të të gjithë indikatorëve. Janë 3-4 bashki të vogla që e kishin prevalencën më të madhe dhe kjo për shkak të festave të fundit. Për këtë arsye duhet të tregojmë kujdes. Nuk duhen hequr menjëherë masat. Eksperienca jonë ishte ajo e masave konstante dhe jo të egra. Monitorimi mund të sjellë një rishikim të masave në bazë të situatës”, tha Brataj.
Alimehmeti: Kemi shifrat më të ulëta krahasuar me të gjitha vendet e BE, prisja lehtësim më të madh të masave
Ilir Alimehmeti, epidemiolog, anëtar i Akademisë së Shkencave, ishte i ftuar në Absolut 4 nga ku komentoi masat e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve.
Epidemiologu theksoi se shifrat aktuale në Shqipëri janë më të ulëta krahasuar me të gjitha shtetet e Bashkimit Europian dhe për këtë, Alimehmeti tha se priste që ora policore të zgjerohej më tej.
“Shumica dërrmuese e masave qëndrojnë. Por, atje ku ka grumbullime, maska është e këshillueshme. Duhet të evitohet grumbullimi, në të kundër, të përdoret maska. Po prisja një liri më të madhe në këtë drejtim.
Shifrat janë të ulëta. Incidenca dyjavore për 100 mijë është diku te 14. Kjo është një shifër shumë e ulët, më e ulëta në një vit, nëse nuk gabohem. Kjo tregon se virusi qarkullon shumë pak. Jemi edhe të sigurt që kjo shifër është e vërtetë, pasi tashmë bëjmë nga 2000-3000 teste në ditë. Për të bërë një krahasim, për të kuptuar se ku qëndrojmë, Këshilli i kryeministrave të BE vendosi si kriter për një situatë të quajtur relativisht të mirë shifrën 75 për 100 mijë banorë, ne e kemi 14. Të gjitha shtetet e BE kanë më të lartë se kjo. Jemi shumë herë më pak. Spanja që e ka 160, orarin e kufizimit të lëvizjes e ka në orën 12:00 të natës”, tha Alimehmeti.
Brataj në Absolut 4: Nuk kemi raste të variantit indian, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të vijë
Një nga temat e diskutuara në Absolut 4 rreth pandemisë ishte dhe ajo e variantit indian të koronavirusit i cili tashmë është një nga shtamet më të rrezikshme që po mbizotëron në botë.
Sipas kreut të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, raste të këtij virusi në Shqipëri aktualisht nuk ka, por kjo nuk do të thotë që ai nuk mund të vijë në të ardhmen.
“Nuk ka dyshime për praninë e variantit indian në Shqipëri. Mutacionet janë mbi 1000. Shtamet dominonte janë ato që kemi kaluar 4-5. Ky variant është dominant mbi shtamet e tjera aq sa u bënë dhe ndaj virusit të gripit saqë nuk e lejuan të shfaqet gjatë këtij sezoni. Raste nuk kemi, por askush nuk përjashton mundësinë e ardhjes sepse është prezent në 44 shtete. Në janar patëm një rritje të shpeshtësisë dhe ishte e qartë që kishte ardhur varianti britanik”, tha Brataj.
Efikasiteti i vaksinave, Alimehmeti: Nuk ka rëndësi sa shkon numri i antitrupave, vjeshta do të jetë testi
I pyetur nëse ka një studim mbi efikasitetin e vaksinave në popullatë, Ilir Alimehmeti epidemiolog dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, deklaroi në Absolut 4 se ka vetëm një studim që është mbi personelin shëndetësor që ka bërë vetëm Pfizer.
Alimehmeti thotë se për efikasitetin e vaksinave nuk ka rëndësi sa shkon numri i antitrupave pasi vaksinave iu shihet efektiviteti, pra nëse ka infektime, shtrime në spital e vdekje pas vaksinimit.
Sipas epidemiologut këto përgjigje do të marrin përgjigje në vjeshtë pasi kryerja e një studimi me një numër kaq të ulët infektimesh është i pamundur.
“Është vetëm një studim që është mbi personelin shëndetësor, me rreth 1500-1600, po mos të harrojmë që personeli shëndetësor ka bërë vetëm Pfizer. Pra nuk i jep dot përgjigje asaj pyetjes ndërmjet vaksinash. Pjesa tjetër në dijeninë time nuk ka një studim të atillë por këtë do na e tregojë vjeshta sepse përpara nuk e dije nëse e kaluar apo jo, vaksinën e di mirë çke bërë, kur e ke bërë, ke dhe datën dhe distancën kohore kur janë bërë të dy dozat, e ke në certifikatë.
Nuk ka rëndësi sa shkon numri i antitrupave. Se shumë njerëz janë bërë içik tifozë dhe shkojnë i masin. Më ranë, mu rritën, i kisha kaq e aq. Antritrupat nuk bëhën për këtë arsye. Vaksinave iu shihet efektiviteti. Që do të thotë, a infektohem, nëse infektohem a infektohem rëndë, dhe nëse infektohem rëndë a kam nevojë për spital, dhe nëse kam nevojë për spital a ka humbje jete. Të bësh një studim të këtillë me incidencë, 14 për 100 mijë banorë në dy javë, duhet të presësh shumë gjatë sepse rastet janë shumë pak. Vjeshta do të jetë testi.”’
“Greqia ka 38 të vdekur dhe nuk lejon hyrjen e shqiptarëve”, Brataj: Kjo më duket e pakuptimtë
Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare, i ftuar në Absolut 4, u shpreh se valë të rënda të pandemisë si ato që kemi kaluar, nuk pritet të kemi sërish. Ai theksoi se një ndihmesë të madhe do të japë procesi i vaksinimit.
“Valë si këto që kemi kaluar nuk do të ketë më. Vaksinat do të japin efektin e tyre. Tregu do të ketë edhe më shumë vaksina”, tha Brataj.
Sa i përket lëvizjet në vendet e Bashkimit Europian, Brataj u shpreh se këtu ndikojnë edhe faktorët gjeopolitik dhe këtu solli edhe rastin e Greqisë.
“Më duket e pakuptimtë. Greqia ka 38 të vdekur dhe nuk lejon të hyjnë shqiptarët. Është edhe politika në mes. Megjithatë, vera do të jetë edhe më e lirë edhe për shqiptarët”, u shpreh Brataj.
“Rihapja e 21 janarit”, Gjoni: Pak e çuditshme koha kur u rihap çështja. Nuk duhet të gjendet vetëm njeriu që qëlloi
Analistja Edlira Gjoni, e ftuar në Absolut 4 komentoi rihapjen e hetimeve për “21 janarin”, duke u shprehur se koha kur është hapur kjo çështje është pak e çuditshme, duke qenë se vjen menjëherë pas vendimit të DASH për t’i ndaluar ish-kryeministrit Berisha hyrjen në SHBA.
“Ky është një zhvillim që duhet të ndodhte, sepse nuk janë vënë pikat mbi “i” për 21 janarin. Se ku do të çojë dhe se sa i drejtë do të jetë procesi, këtë nuk e di, por kjo është një çështje me kapak të hapur. Kemi vite që vazhdojmë ta përdorim në diskursin politik. Është pak e çuditshme koha kur kjo çështje është rikthyer, duke dëmtuar më së shumti njërin krah në Shqipëri”.
Më tej, Gjoni u shpreh se kjo çështje nuk përfshin të njëjtën palë. “Nuk duhet gjetur vetëm njeriu që shtiu mbi njerëzit, por kush urdhëroi, si dhe kush i çoi njerëzit aty dhe shkoi të pinte kafe. Kjo çështje është më komplekse se kaq. Duhet të mësojmë se çfarë e solli 21 janarin. Unë besoj se është një sinjal se kjo çështje nuk ka për të mbetur me kapak të mbyllur”, u shpreh Gjoni.
Vurmo për drejtësinë e re: Llalla me veprimet e tij bëri pastrim parash, u dënua për mosdeklarim të ardhurash
Gjergji Vurmo, nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, u shpreh në Absolut 4 se nuk ka besim te drejtësia e re pavarësisht lëvizjeve të fundit ku janë hapur disa nga dosjet më delikate.
Vurmo solli në vëmendje rastin e dënimit të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili sipas tij ka të gjitha indiciet që ka bërë pastrim parash, por që u dënua për mosdeklarim të ardhurash.
“Jo këto të dhëna tregojnë të kundërtën. As drejtësia e re nuk ka as guximin dhe druaj as dëshirën për të shkuar aq larg. Kryeprokurori Llalla lidhur me ato veprime për pasurinë e vet ka bërë as më pak as më shumë por pastrim parash. Ai është dënuar sot për mosdeklarim të ardhurash. Kjo është qesharake. Si mund të kesh shpresë kur merr një dënim të tillë që në shkallë të parë?”, tha Vurmo.
Hetimet për 21 janarin, të rejat që çuan në hapjen e dosjes së vrasjeve në bulevard
Gazetari Armand Bajrami ka folur në Absolut 4 për rihapjen e hetimeve për dy nga viktimat e 21 janarit, Aleks Nikën dhe Hekuran Dedën.
Bajrami thekson se për rinisjen e hetimeve për Prokurorinë e Tiranës, primare ka qenë kërkesa e bërë nga policia e kryeqytetit, me 20 janar të këtij viti, ndërsa thekson se Gjykata e Strasburgut ka nisur të shqyrtojë çështjen e Aleks Nikës dhe vetëm pak ditë më parë i kërkoi llogari shtetit shqiptar se në çfarë faze ndodhet rihetimi dhe çfarë veprimesh janë kryer.
“Primare për Prokurorinë e Tiranës ka qenë kërkesa e bërë nga policia e kryeqytetit, me 20 janar të këtij viti. Është parë e udhës rihapja e këtij hetimi për dy nga viktimat, Aleks Nika, ngjarje që ka mbetur pa autor dhe pa të dyshuar, ndërkohë që po ashtu pa autor është dhe vrasja e Hekuran Dedës. Për Hekuran Dedën, ndonëse janë dyshuar fillimisht Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ka qenë barrë e tyre në procesin e parë, nga Gjykata e Apelit u vlerësua se nuk kishin gisht në vrasjen e tij.
Tashmë me këtë veprim të prokurorisë së kryeqytetit do bëhet riekspertimi i predhës së Aleks Nikës, e cila është shumë e dëmtuar dhe në hetimin e parë është dalë në konkluzon se predha është e dëmtuar në atë masë se është e pamundur identifikimi i armës nga e cila është shkrehur. Sugjerimi i dhënë nga policisë, ishte dhe shikimi i mundësisë nëse ka aktualisht laboratorë të specializuar për të bërë të mundur identifikimin e armës nga e cila është nxjerrë predha që vrau Aleks Nikën.
Pamjet filmike janë të kufizuara për ngjarjen, janë të mangëta. Bëhet fjalë vetëm për pamje filmike të televizioneve që kanë raportuar ngjarjen apo pamjet e instuticioneve pranë vendit të ngjarjeve. Por prokuroria nuk ka pamjet e kamerave të kryeministrisë sepse serveri rezultoi i fshirë.
Vetëm pak ditë më parë Gjykata e Strasburgut ka nisur të shqyrtojë çështjen e Aleks Nikës kundër Shqipërisë. Iu drejtuan Strasburgut kur ngjarja mbeti pa një autor konkret ose të dyshuar, ku pretenduan efektivitet të ulët të hetimit nga ana e prokurorisë. Vetëm pak ditë më parë, gjykata e Strasburgurt i kërkoi llogari shtetit shqiptar se në çfarë faze ndodhet rihetimi dhe çfarë veprimesh janë kryer.”, u shpreh Bajrami.
(A2 Televizion)