Komuniteti fetar në Elbasan, thirrje politikës për qetësi

Nga A2 CNN
19 Mars 2021, 13:06 | Politikë
Komuniteti fetar në Elbasan, thirrje politikës për qetësi

Kryesia e Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan i ka bërë një thirrje liderëve të partive politike të Qarkut, duke theksuar se “fryma e tolerancës dhe mirëkuptimit duhet të udhëheqë partitë politike në fushatën zgjedhore”.

“Si gjithë banorët, edhe komunitetet fetare në Qarkun e Elbasanit po jetojnë me atmosferën e fushatës zgjedhore të 25 prillit, që sapo ka nisur këto ditë, dhe me keqardhje pamë se kjo fushatë u ballafaqua me incidente ndërmjet dy forcave politike kryesore që në hapat e para, e pikërisht në një ditë të shënuar për Elbasanin, duke njollosur festën e Ditës së Verës me akte dhune ndërmjet simpatizantëve të tyre. E njëjta skenë është përsëritur sot edhe në Labinot. Kjo qasje konfliktuale, e cila është larg frymës së qytetarisë elbasanase, jo vetëm nuk na nderon të gjithëve, por edhe cenon qetësinë dhe harmoninë me të cilën shquhet qyteti ynë. Drejtuesit e komuniteteve fetare të Q. B. N. F u bëjnë thirrje liderëve të partive politike të tregohen të matura e të përmbajtura, duke paraqitur me mençuri dhe urtësi opsionet dhe kandidatët e tyre tek banorët e Qarkut tonë, që në mënyrë të qetë e lirisht të zgjedhin alternativën që është më afër kërkesave të tyre”, lexohet në komunikatën e QBNF. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos